Media franceze, Liberation, i ka kushtuar një artikull të veçantë një prej kafshëve të egra më të rrezikura të Ballkanit, rrëqebullit, për të cilin shkruan se është në mëshirë të gjuetisë së paligjshme në vend.
“Në Shqipëri, rrëqebulli i fundit i Ballkanit në mëshirën e gjahut”, është titulli që hap artikullin ku thuhet flet për kafshët e balcamosura që u gjendën në një lokal në Elbasan.
“Këta dy rrëqebuj ballkanikë, të balcamosur pasi u masakruan në pyjet fqinje, janë krenaria e lokalit. Në murin ngjitur nuk ka piktura ose postera, por dy arinj kafë, të shtrirë si tapiceri, me gojët e tyre të hapura”, shkruan media.
Që nga fundi i vitit 2015, ky lloj i rrëqebullit është klasifikuar si specie në rrezik nga Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës (IUCN), “kategoria e parafundit para zhdukjes”, thotë Urs Breitenmoser, specialist në IUCN.
“Do të thotë se ka më pak se 50 specie të rritura në popullatën e egër globale. Meqenëse në kopshtin zoologjik nuk ka asnjë mbarështim të rrëqebullit të Ballkanit (dhe nuk do të ketë më), situata është me të vërtetë shumë kritike. Rrëqebulli i Ballkanit është gjenetikisht i lidhur me popullsinë lindore të Kaukazit dhe Anadollit. Mendohej se ishte zhdukur përfundimisht, derisa u rizbulua në fillim të viteve 2000. Sot, ai gjendet vetëm në malet e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë”, thuhet më tej.
Artikulli flet edhe për masat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare ku në vitin 2014 u bë një ndalim i rreptë i gjuetisë për dy vjet, duke u zgjatur edhe për pesë vjet shtesë. Gjashtë vjet më vonë, çfarë rezultatesh ka?
“Fatkeqësisht, vetëm viti i parë i moratoriumit mund të konsiderohet një sukses”, shprehet Aleksandër Trajçe, drejtor i OJQ-së Mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA).
Në realitet, gjahtarët, të cilët shpesh janë njerëz me lidhje të ngushta me autoritetet, kanë filluar pa mëshirë të vrasin kafshët e egra pa asnjë kontroll. Të vetmit që i përmbahen ndalimit janë gjuetarët e ligjshëm dhe të ndershëm, të cilët janë vëzhguesit e pafuqishëm të kësaj situate të padrejtë . Duke udhëtuar me një makinë 4×4 të pajisur mirë, gjahtarët pushtojnë pyje si ai i Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanice gjatë natës, pasi është e vetmja mënyrë për të fituar betejën me kafshët e egra.