Në datën 21 Qershor, në Amerikë festohet dita e babait. Për të më uruar këtë festë, si kurrë më parë, fëmijët nuk më erdhën. Më ruajtën prej infektimit me Covid-19.
Peshqeshet m’i dërguan me pako postale. Si përgjigje për urimet, u dërgoj këtë letër.
Të dashurit e mi!
Për të zvogëluar shanset e infektimit me Covid -19, organet kompetente na këshillojnë të evitojmë kontaktet, të qëndrojmë 1.5 m. larg nga njëri tjetri, të respektohen rregullat e higjenës personale dhe të mbahen maskat dhe dorezat.
Por a mund të bëhet kjo me njerëzit e tu të dashur, me fëmijët, me nipërit dhe mbesat?
E kuptoj arsyen pse në këtë pandemi të mallkuar, nuk duhet t’u prek dhe t’u përqafoj juve që u dua kaq shumë. Të evitojmë kalimin e infeksionit nga njëri tek tjetri, veçanërisht, të mos infektohem unë dhe shokët e mi të moshuar dhe me shumë sëmundje, që jemi më të prekshmit dhe me pasojat më të rënda nga sëmundja.
Distancimi fizik nga ju, për mua është një kufizim shumë i vështirë. Ndjej ”uri” në lëkurën time, nga mungesa e prekjeve dhe përqafimeve tuaja. Më besoni, kjo” uri” është më e fortë se urija për të ngrënë. Është “uri” zhuritëse nga malli. Ajo bëhet edhe më keq, kur nuk dimë sa kohë do të vazhdojë mungesa e prekjeve dhe përqafimeve
Siç thonë specialistët, kjo do të vazhdojë, pa ditur sa gjatë. Disa të tjerë thonë se duhet të mësohemi të jetojmë ndryshe pa këto takime të domosdoshme. Ne njerëzit normalë, në procesin e evolucionit miliona vjeçar, jemi mësuar me kënaqësinë e takimeve dhe përqafimeve, ndaj, jeta pa prekje dhe përqafime është shumë e vështirë.
Prekja është një nevojë legjitime fizike dhe emocionale. Është pjesë e eksperiencës jetësore njerëzore dhe ta humbasësh atë, pa ditur se kur do të kthehet përsëri, është shumë e vështirë.
Tani, që shumica e aktiviteteve u hapën, të vetë-mbyllur vazhdojmë të jemi ne të moshuarit. Ekspertët nuk na e thonë me siguri, kur do të lejohet përqafimi, prekja dhe veprimet komforte me të dashurit.
Kam dëgjuar disa ekspertë dhe politikanë të thonë, se nuk besojnë që ne do të kthehemi përsëri në zakonet tona të para, si shtrëngimi i duarve dhe përqafimet. Për mua dhe për shumë si unë të moshuar e me plot sëmundje të tjera, që konsiderohemi si persona me rrezik të lartë nga Covidi-19, ky është një lajm i keq.
Sipas tyre, kthimi përsëri tek përqafimi i të dashurve, duket një perspektivë shumë e largët, madje, dyshoj nëse do ta arrij dot.
Kjo më ka hidhëruar shumë dhe nuk kam fjalë të tregoj sa shumë i izoluar ndjehem. Kam humbur shumë nga nuancat e ndjesive që më jepte shtrëngimi i duarve, buzëqeshja e njerëzve, të rrahurit e shpatullave, të krahëve, madje edhe nga fqinjët ose dikush tjetër, qoftë edhe kur takoheshim në një supermarket.
Më duhet prekja e njerëzve. Gjatë gjithë jetës kam kuptuar se, shprehja e afeksionit – kur e jap ose kur e marr – ka impakt të vërtetë në shëndetin dhe mirëqënien time fizike dhe mendore.
Prekjet e përqafimet janë të afta: Të qetësojnë sistemin tim nervor; Të gjallërojnë sistemin tim imun; Të aktivizojnë Oxytocynën, që ndonjëherë quhet hormoni i përqafimit, që është me shumë rëndësi për lidhjet, veçanërisht, të nënës dhe fëmijës në momentin e lindjes.
Oxytocina ka efekt në mirëqënien e përgijthshme, jep qetësi dhe forcon marrëdhëniet. Të pakësojnë hormonin e stresit, Cortisolin. Të pakësojnë dhimbjet, të përmirësojnë procesin e shërimit nga sëmundjet dhe të ulin presionin e gjakut dhe të rahurat e zemrës. Të përmirësojnë gjëndjen shpirtërore dhe të pakësojnë stresin, ankthin, depresionin, çrregullimet e gjumit, ndjenjën e vetmisë, të izolimit dhe të tjera.
Për mua, një i moshuar që lëngon dhe nga sëmundje të tjera kronike, këto efekte janë shumë të rëndësishme. Këto janë jeta ime. A ka doktor të më tregojë një ilaç tjetër, më të mirë se përqafimi dhe prekjet?
Prekja është esenciale. Ajo për mua është një nevojë universale dhe një metodë natyrale për t’u komunikuar juve gëzimin dhe intimitetin. Prekja është shumë e fuqishme në shumë nivele. Ajo ka efekte shëruese positive.
Prekja është mjet për konfort. Në muajt e fundit janë bërë virale shumë video amatore, ku njerëzit varin perdet plastike të dusheve në dyert e shtëpisë, ose njerëz që mbështillen me çarçafe plastikë për të takuar fëmijët. A janë “budallallëqe” këto mënyra që i përdorin njerëzit për të parandaluar Covid-19,? Doktorët dyshojnë për këtë.
Tani, dihet me siguri që Covid-19, është një sëmundje që përhapet përmes sperklave të frymëmarrjes dhe jo përmes prekjeve. Ndaj, rreziku i transmetimit të infektimit nga personi që përqafojmë përmes plastikës, kur qëndrojmë shumë afër, është i mundur dhe unë, që u drejtohem me lutjen “ejani t’u përqafoj ”, ndoshta gaboj.
Ekspertët mjekësorë , akoma, janë duke mësuar për këtë virus, ndaj, është e vështirë të përcaktohet rreziku i përqafimit në përhapjen e infeksionit.
Edhe pse u dogja t’u përqafoj ju, të dashurit e mij, të vegjël e të mëdhenj, ju lutem, përpara se të vendosni të vini tek unë të më takoni dhe përqafoni, bëjini vetes këto pyetje, të cilat ia bëj edhe unë çdo ditë:
A është takimi ynë i domosdoshëm? Ku do ta bëjmë këtë takim? Cili është niveli i infektimit me Covid-19 në qytetin tonë sot? Me cilin do të takohem? Sa i prekshëm është ai dhe unë nga infektimi? Çfarë lloj izolimi kemi repektuar të dy palët? Dhe çfarë ndërveprimesh të tjera sociale kam me personin me të cilin do të përqafohem?
Tani, ne dimë çfarë është rreziku më i madh për infektim. Dimë se rreziku më i lartë është në ambjentet e mbyllura dhe kur takimi zgjat për shumë kohë. Ju premtoj, përqafimet tona do të jenë të shkurtra, në ambjent të hapur dhe pa hedhur frymën në fytyrën e njëri-tjetrit.
Ju lutem, kur të vini t’u përqafoj, as mos flisni dhe as mos qani gjatë përqafimit, madje, mundësisht, le të evitojmë të marrim frymë gjatë kohës së përqafimit. Askush nuk e di me siguri, sa do të na mbrojnë këto masa.
Them nuk e dimë me siguri, sepse me këtë virus jemi në një teritor të ri, të panjohur dhe duhet të bëjmë hamendësime të mençura dhe të studiuara. Sa më pak frymëmarrje të bëjmë përballë njëri- tjetri, aq më mirë do të jetë. Kjo nënkupton mbajtjen e detyruar të maskës, kthimin e fytyrës në drejtime të kundërta dhe mundësisht, të ndërpresim frymëmarrjen.
Unë vdiqa të takoj mbesat dhe nipërit e mi të vegjël. Do t’i lejoj ata, që me duart e tyre të vogla të mbështjellin këmbët dhe mesin e Gjyshit – kjo është më mirë se fytyrë më fytyrë. Do t’i përqafoj nga prapa dhe kokën do ta kthej anash. Shpresoj që këto masa do të na mbrojnë nga infektimi. Shkencëtarët janë duke bërë më të mirën që munden, por, akoma, ka plot gjëra që janë të panjohura.
Me video-bisedat që keni bërë me mua, ju ma keni lehtësuar ndjenjën time të vetmisë dhe të izolimit. Shikoja gjatë gjithë kohës që bisedoja me ju në telefon, fotografitë tuaja të zmadhuara. Aktivizova neuronet e mia pasqyrë, duke parë gjatë dhe me vëmendje shprehjet e fytyrave tuaja dhe merrja “emocione”, të cilat, shpesh, më bënin të qeshja. Kjo më ndihmoi të forcoj lidhjet e mia me ju.
Siç e shihni të dashurit e mi, edhe në mungesë të përqafimeve të vërteta, jam përpjekur të gjej mënyra që t’i forcoj lidhjet.
Mbaj mend kohët përpara pandemisë, kur ju përqafoja plot mall. Në ato momente perjetoja ndjenjat më të bukura, që kam provuar ndonjëherë.
Këto muajt e fundit, kam provuar të lexoj material, që më kanë ndihmuar të evitoj ndjenjën e izolimit, por kjo nuk ka të krahasuar me atë që provoj kur dal jashtë, kur takoj njerëz të tjerë, madje edhe kur i përshëndes ata me dorë nga larg. Kjo e largon vërtet ndjenjën e mërzisë dhe izolimit, por kurrë nuk zëvendëson përqafimet dhe prekjet.
Ju lutem, të jeni më të vëmëndshëm në komunikimin me mua, sepse vetëm kështu, do të ndjej se jam parë dhe dëgjuar prej jush.
Dëshiroj që ju të jeni krijues në mbajtjen e lidhjeve që më japin kontakt dhe gëzim. Dëshiroj të më përqafoni, por duke respektuar të gjitha rregullat që ndihmojnë të evitojmë infektimet gjatë përqafimeve.
Jam i moshuar dhe mundohem të bëhem i fortë, por me ju fëmijët e mi, dua të jem i ndershëm. U them se sot, jeta është e vështirë, veçanërisht, po të jesh në vendin tim dhe kur nuk e di sa do të zgjasë kjo gjëndje distancimi. E kuptoj, kjo është e vështirë edhe për ju fëmijët e mi, ndaj ne do të zbatojmë të gjitha rregullat gjatë përqafimit, sikur ky të jetë një lloj rituali dhe ne do ta respektojmë atë, sepse kjo ja vlen.
Të jesh i aftë të përqafosh, qoftë edhe përmes plastikave, kjo sjell shumë gëzim dhe qetësi në familje. Këto veprime, edhe pse mund të krijojnë humor dhe e çudi, ne do t’i respektojmë, sepse e duam, vërtet, përqafimin nga njëri tjetri. Dr. Adem Harxhi, New Jersey, 26 Qershor 2020