Greqia, Bullgaria, Qipro dhe Shqipëria nxisin bashkëpunimin në fushën e agrobiznesit, përmes një projekti që mbështetet nga Bashkimi Europian.
Asnjë biznes që synon tregjet ndërkombëtare, nuk mund të ketë suksesin e pritshëm duke qenë i vetëm. Në kompleksitetin e faktorëve që përcaktojnë profilin e këtyre tregjeve, lind domosdoshmëria e bashkëpunimit, e krijimit të grupimeve brenda fushave të caktuara të ekonomisë.
Ky trend bashkëkohor, po nis rrugëtimin edhe në Shqipëri, ku agrobiznesi po shndërrohet në një sektor promovues që synon të bëhet gjithnjë e më shumë i dukshëm në tregjet respektive rajonale e më gjerë. Në këtë drejtim, klasterat (Cluster – apo grupimet, siç shqipërohen ndryshe), si koncepte dhe forma konkrete bashkëpunimi ekonomike bashkëkohore, vlerësohen ndër më të suksesshmet.
Partnerë nga Greqia, Bullgaria, Qipro e Shqipëria, u mblodhën për të diskutuar së bashku hapat që do të ndiqen më tej, për të konkretizuar bashkëpunimin në kuadrin e Projektit FOCUS, pjesë e Programit BallkanMed, që financohet nga BE-ja.
Ky projekt, që ka startuar në muajin dhjetor të vitit 2017, ka si objektiv nxitjen e rritjes së konkurrueshmërisë së SME-ve në fushën e agroindustrisë dhe krijimin e një klasteri (grupimi) ballkanik.
Qëllimi është t’u ofrojë bizneseve mundësinë e njohjes me praktikat më të mira dhe hedhjen e bazave të kooperimit me simotra në vende të tjera si Greqi, Bullgari dhe Qipro. Projekti Focus- Programi INTERREG Balkan, do të synojë krijimin e klasterave transnacionalë në katër sektorë: Përpunimi i qumështit, prodhimi i vajit të ullirit, prodhimi i verës, perimet dhe drufrutorët, përmes hartëzimit të SME-ve, qendrave të kërkimit shkencor, organizatave përfaqësuese të biznesit dhe agroindustrisë, shoqërisë civile etj.
Në këtë takim, u vlerësua se, sektorët e agroushqimit, që synojnë grupet rajonale të agroushqimit, po nxiten efektivisht për t’u përfshirë në klasterin ballkanik që do të krijohet në kuadër të këtij projekti.
Me këtë argument, u hodhën ide se cili do të jetë grupi respektiv i synuar, cilat janë format e ndryshme të shërbimeve që do të ofrohen, çfarë lloj informacioni do të sigurohet nga klasteri rajonal etj.
Mirela Koçi, drejtore ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, partnere e këtij projekti nga Shqipëria, sqaron se, puna e përbashkët në kuadër të këtij projekti, do të synojë krijimin e një produkti gjithashtu të përbashkët, që është konkretizimi i një klasteri transnacional, apo ballkanik, që përbën edhe “output”-in kryesor të kësaj pune.
“Në bashkëpunim me Rajonin e Peloponezit (Greqi), në cilësinë e “lead partner”, si edhe partnerët nga Universiteti Agrobujqësor i Plovdivit (Bullgari), Dhoma e Tregtisë e Rajonit të Rusës (Bullgari), Dhoma e Tregtisë e Qipros, Universiteti Bujqësor dhe Universiteti Teknik i Athinës, janë përcaktuar 4 sektorë të bashkëpunimit dhe krijimit të klasterave, që janë ata të prodhimit të verës, të vajit të ullirit, fruta perimeve, si edhe përpunimi i qumështit. Dhe tani kemi hyrë në një fazë të rëndësishme të projektit, që është ajo e hartimit të një platforme transballkanike, përmes të cilës do të ofrohen shërbime të integruara, por në të njëjtën kohë edhe do të funksionojë si një klaster ndërkombëtar që do të ofrojë mundësinë e transferimit të teknologjisë, si edhe zgjerimin e bashkëpunimit me tregjet e reja”, thotë Koçi.
Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, solli praktikat më të mira që spikasin në territorin e Republikës së Shqipërisë në këtë fushë. Sipas tij, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, është organizata më e madhe në vend dhe ka në përbërje 22 shoqata kombëtare e 12 këshilla rajonale.
”Në fushën e mekanizimit, ka rreth 9700 traktorë, prej të cilave rreth 4000 janë minitraktorë”, nënvizoi ai, ndërkohë që shtoi se, ka kosto të larta të punimeve të mekanizuara dhe çmim ende të lartë të karburantit për bujqësinë.
Gramos Osmani, përfaqësues i RISI Albania, u ndal në prezantimin e çertifikimit global, GAP, që u krijon mundësinë SME-ve të këtij sektori të përfshihen në aktivitetin e eksportit.
Alban Zusi, drejtor i Qendrës së Eksporteve Shqiptare dhe përfaqësues i Shoqatës së Industrialistëve Agroushqimorë, përcolli përvojën e tij për klasterat dhe klasterin e parë shqiptar, si një model i suksesshëm në advokimin e të drejtave të prodhuesve.
“Sot, trendi është krijimi i klasterave, krijimi i grupimeve. Bizneset e kanë shumë të vështirë të çajnë individualisht në tregjet ndërkombëtare. Sepse, që të kesh sukses, duhet të dalësh në tregjet ndërkombëtare, duhet të eksportosh, Por edhe për të qenë brenda tregjeve ndërkombëtare, sërish duhet bashkëpunim”, thotë Zusi.
Sipas tij, tashmë, problematikat janë komplekse dhe i kalojnë kufijtë e një biznesi të vetëm. Prandaj dhe është e nevojshme të krijohen organizata, të krijohen forma të bashkëpunimit dhe kooperimit, ndër të cilat, klasteri është demonstruar si një ndër format më efektive në Evropë dhe që po promovohet gjithmonë e më tepër nga Këshilli i Evropës.
Në takim u vlerësua fakti se, prania e përfaqësuesve nga disa vende të rajonit, si Greqia, Bullgaria, Qipro, krijon kushtet për të realizuar sinergjinë mes bizneseve të këtyre rajoneve, qoftë në aspektin e ndërkombëtarizimit të tregtisë e biznesit, kryesisht në fushën e bujqësisë, ushqimit, ku edhe Shqipëria ka potencialet më të larta për zhvillim dhe njëkohësisht edhe nevojën më të madhe për t’u zhvilluar.
Aulona Veizi, drejtore e Qendrës së Transferimit të Teknologjive, solli përvojën e këtij institucioni shkencor, në ofrimin e shërbimeve mbështetëse të SME-ve, ndërkohë që Jonida Haxhillari e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, u ndal në disa aspekte konkrete të punës që po bëhet në këtë drejtim.
Partnerët ndërkombëtarë, vizituan mjediset e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, laboratorin invitro, fabrikën e prodhimit të vajit të ullirit, AULONA.
Procesi i degustimit të vajit të ullirit dhe testimi i pastës së ullirit, nga Gjinovefa Lazaj, ishin pjesë e këtij aktiviteti./atsh