Të fshehtat e Gjirokastrës zbulohen një e nga një: edhe 1000 herë të të sillte rasti në këtë qytet, do të dukej sikur s’kishe qenë kurrë…
Kur vjen nga Tirana, në krahun e djathtë të Drinos, shpaloset me një bukuri të pashoqe Gjirokastra, qyteti në jug të Shqipërisë, i cili është zgjerim i qytetit rreth kështjellës së lashtë. Nën këmbët e saj shtrihet lugina e lumit të Drinos, e cila është nga më të veçantat dhe më të bukurat e Shqipërisë.
Lidhur me emrin Gjirokastër ka plot hipoteza, të cilat pleksen me legjenda, siç është ajo e Princeshës Argjiro, e cila u hodh nga shkëmbi së bashku me fëmijën për t’u mbrojtur nga armiqtë e huaj, pra, Argjiro – kastro domethënë Kështjella e Argjirosë.
Ka edhe një hipotezë që lidhet me emra shumë të njohur historikë, sikundër është Gjin Bue Shpata, pra Gjirokastra domethënë Kështjella e Gjinit, që ishte një nga themeluesit e këtij qyteti. Shqiptarët në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Veriut, qytetin e gurtë e kanë thirrur rregullisht Gjinokastra.
Një tjetër hipotezë është e lidhur me etimologjinë e emrit Argjend, metal që ka ngjyrë gri të shkëlqyer, siç e ka edhe qyteti dhe kalaja nga gurët në dritën e hënës. Krejt Labëria e ka thirrur Gjirokastrën vazhdimisht Ergjëri. Këtë e gjejmë të pasqyruar edhe në këngën që përjetëson mbledhjen e degës së Lidhjes së Prizrenit në Gjirokastër që thotë: Kurvelesh e gegëri, /ç’u mblodhën në Ergjëri…Pra emri i qytetit mund të jetë edhe nga ky burim.
Deri përpara 200 vjetësh Gjirokastra ka qenë e rrethuar me vreshta, gjurmët e të cilave i gjen sot në Kucullë, Dunavat, Manalat e Palorto. Banorët e këtij qyteti antik kanë qenë mjeshtër të përpunimit të rrushit duke përdorur gjerësisht verën dhe rehaninë. Veç vreshtarisë, blegtoria, bujqësia dhe krahas tyre mjeshtëria dhe artizanati, bënin që të plotësoheshin mirë nevojat e banorëve vendas pa pasur nevoja të shumta për import. Kësaj gjendje i vinte në ndihmë edhe fshati. Në përgjithësi krahinat për rreth Gjirokastrës kanë qenë të banuara me njerëz të mençur, trima, punëtorë dhe arsimdashës. Labëria, Lunxheria, Zagoria, Pogoni, Dropulli i rrinin pranë qytetit në ditë të mira e të këqija.
Lufta për gjuhën shqipe e mësuesve patriotë të mëdhenj nga Gjirokastra, Lunxheria dhe Zagoria, e nxirrnin Gjirokastrën në ballë të krahinave dhe qyteteve të tjerë të Shqipërisë. Libohova, kjo kasaba e vogël, gjithnjë kundruall ia ka rritur vlerat qytetit të lashtë. Historitë midis tyre janë të pleksura fort, dhe së bashku me ato të krahinave për rreth, e bëjnë atë me mjaft vlerë.
Para 400 vjetësh Gjirokastra numëronte 2 200 shtëpi, nga të cilat 200 në kështjellë; 280 dyqane, 9 xhami, 3 teqe, 3 kisha, 5 kroje dhe mijëra sterra (depo uji). Gjirokastra ishte kasaba e madhe. Jo larg saj mbuluar me dhé dhe pluhurin e kohës, fshihej Antigonea, mbeturinat e Melanit, si dhe konture nga lashtësitë e qytetit të Zhulatit, të kështjellës së Kardhiqit etj.
Gjirokastër nga viti në vit e nga shekulli në shekull rritej e forcohej. Ajo mori rolin e trashëgimtares së qytetërimeve të lashta të luginës dhe trojeve për rreth saj.
Ali pashë Tepelena la gjurmët e veta edhe në Gjirokastër. Kalaja u ndërtua dhe u forcua prej tij, por pashallarët e vërtetë të këtij vendi mbetën gjirokastritet. Siç është përshkruar edhe nga kronisti turk Evliha Çelebi…”banorët e Gjirokastrës janë trima, burra të vrenjtur, të zymtë, seriozë, fjalëpakë, që e mbajnë trupin drejtë që s’e kthejnë kokën prapa edhe kur ia bën bam. Ata janë dëfrimtarë e jetëgjatë, që lidhej me klimën bukur dhe të freskët të Gjirokastrës”.
Para çlirimit Gjirokastra kishte 12 000 banorë dhe rreth 2 400 shtëpi, duke u radhitur ndër qytetet e mëdhenj të Shqipërisë në atë kohë. Në këtë periudhë në Gjirokastër numëroheshin dy punishte lëkurësh, një mulli bloje, centrali elektrik, liceu francez dhe disa shkolla fillore.
Pas çlirimit dhe deri në vitet ’80 të shekullit të kaluar ajo numëronte 27 000 banorë, 7 650 shtëpi dhe një numër jo të vogël fabrikash, si fabrikë mielli, fabrikë këpucësh, fabrikë lëkurësh, fabrikë cigaresh, fabrikë të shtyllave të centrifuguara, fabrikë betoni, fabrikë buke; dy uzina metalike, dy ndërmarrje të fuqishme ndërtimi, dy ndërmarrje bujqësore, dy teatro, një estradë, një universitet, gjashtë shkolla të mesme, nga të cilat dy profesionale, dy gazeta lokale, radio lokale, shtëpi kulture, bibliotekë me 120 000 vëllime librash, orkestër frymore, orkestër simfonike, 23 muzeume, dhjetëra grupe artistike amatore, cirk profesionist, degë e lidhjes së shkrimtarëve etj.
Në vitin 1961 Gjirokastra u shpall Qytet – Muze. Ky qe një vendim i rëndësishëm që solli një hop të madh cilësor në mbrojtje të trashëgimisë kulturore që ky qytet e kishte të spikatur dhe e trashëgonte në vetvete.
Ngjarja e dytë e gdhendur në historinë e këtij qyteti, është viti…..ku merr jetë një nga veprimtaritë më të mëdha kulturore të Shqipërisë, Festivali Folklorik Kombëtar, që vazhdon edhe sot dhe që i ka dhënë Gjirokastër një emër të përveçëm jo vetëm në rang kombëtar, por edhe ndërkombëtar.
Evenimenti i tretë, cilësues dhe vlerësues për Gjirokastrën është se në vitin 2005 iu dha statusi i trashëgimisë kulturore, si pjesë e UNESCO-s. Ajo është një nga shembujt mbetur në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otoman.
E katërta, tash së fundi, në vitin 2016, në Gjirokastër ngrihet shtëpia muze e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, si një nga atraksionet më të fuqishme turistike të këtij qyteti.
Dhe fundit, se paralelisht me Gjirokastrën antike po zhvillohet një tjetër Gjirokastër, ajo moderne, në pjesën e poshtme të qytetit, me ndërtime të reja. Restaurimi i shtëpive të vjetra, duke ruajtur karakteristikat tregon se banorët e këtij qyteti e kanë kuptuar se turizmi përbën të ardhurat kryesore të Gjirokastrës.
Do t’i mbyllim këto shënime, me një thënie të një turisti holandez, të cilën e kemi vënë edhe në çelje të këtij shkrimi: “Të fshehtat e Gjirokastrës zbulohen një e nga një…edhe 1000 herë të më sillte rasti në këtë qytet, do të më dukej sikur nuk do të kisha qenë kurrë aty!…”
Disa nga familjet më të njohura të qytetit të Gjirokastrës
Aliko, Angon/i/atë, Avdullai, Babaramo, Babameto, Baboçi, Bakiri, Bashari, Bazo, Bejko, Bendo, Beqiri, Bezhani, Bështika (edhe Bishtika), Bineri, Binozi, Boca, Bubaramo, Budo, Ceka, Cico, Ciu, Çabej, Çabeli, Çano, Çanole, Çami, Çeçi, Çeribashi, Çeno, Çiço, Çipi, Çoçoli, Çuçi, Devolli, Didiu, Dilo, Dudushi, Duli, Duzgo, Fico, Fino, Gagani, Galanxhiu, Ganaj, Gega, Godella, Gorica, Grapshi, Gurga, Guri, Gjebrea, Gjoksi, Hadëri, Hajro, Harbuli, Harxhi, Harilla, Hasani, Hasho, Hashorva, Hido, Hoxha, Idrizi, Jupi, Kaçi, Kadareja, Kaftani, Kalo, Kallfa, Kallajxhiu, Kamberi, Karagjozi, Kekezi, Karaulli, Kareco, Kashau, Kavo, Kalo, Koçiu, Kokalari, Kokobobo, Kokona, Kopeci, Kore, Kotoni, Kroi, Kuçuku, Kulumbi, Kumbaro, Kurti, Lelo, Lengo, Lito, Loloçi, Lulo, Makriu, Malile, Manga, Masha/nj, Mero, Mezini, Miçaj, Miziri (Myzyri), Muhaqi, Musta, Naipi, Neçaj, Nishani, Njocko, Omari, Papapano, Peshkëpia, Pleshti, Puteçi, Puto, Qeribashi, Qorri, Reso, Roqi, Selfo, Sinani, Sinoimeri, Skënderi, Skënduli, Skufi, Spahiu, Suloti, Shahu, Shapllo, Shehu, Sherifi, Sheshi, Shtino, Shtrigu,Sotiri, Tauri, Taçi, Tola, Topore, Topulli, Toska, Toto, Tuqi, Tushi, Vehbiu, Xhaferi, Xhango, Xhaxhiu, Xhepi, Xhuli, Xhiku, Zani, Zeko, Zere, Zverku, Zhorda, etj.
Kalaja
Në peizazhin gri, mbi të gjitha, shquhet kalaja e lashtë dhe bedenat, shtatë penxheret, Duglla, e cila nga Sheshi i Çerçizit, ngrihet lartë, drejt qiellit. Gjirokastra nuk do të kidhye kuptim apo shkëlqim pa kalanë e saj, që e parë nga shumë këndvështrime i ngjan një vapori në udhëtim. Nga mbrapa, nga Manalati, kalaja duket më e ashpër dhe më e thepisur. Nga ky krahë duket skur ngrihet nga toka bashkë me shkëmbin. Po në këtë krah është edhe shkëmbi i legjendës së Argjirosë.
Nuk besoj të ketë fëmijë gjirokastritë të mos e “ketë jetuar” kalanë dhe çuditë e saj të shumta. Themi për fëmijët e tanishëm, pasi më parë, madje që në mesjetë e deri në regjimin komunist, një pjesë e saj është përdorur si burg dhe hyrja ishte e ndaluar rreptësisht.
Nga jashtë kalaja muret i ka të mbajtura mirë. Megjithatë vende-vende ka zgavra të thella të goditura me top që duken si plagë që tani kanë zënë kore. Një pjesë e mureve janë të mbuluara me breza sarmaçe, kështu iu thonë gjirokastritet bimëve zvarritëse që gjelbërojnë gjatë gjithë vitit nëpër mure.
Në hyrje të kalasë, ballë përballë me portat kryesore, në një lartësi prej 2-3 kate, duken disa kamare, oxhakë me gurë të gdhendur, vrima në të cilat duket qartë që kanë qenë trarët e drurit që ndanin këtë hapësirë në kate, dmth, në banesa. Në kala ka patur mbi 200 shtëpi të banuara.
Në krah të zyrës së vogël të administratës që sot është drejtoria e muzeut, janë mbi tridhjetë shkallë që zbresin shumë thellë për te furra që piqte bukët për të gjithë asqerët e Turqisë dhe ushtarakët e kohës së Italisë.
Thonë që Ali Pashë Tepelena ka vazhduar ndërtimin e kalasë dhe në llaç ka hedhur të bardhat e vezëve që i sillnin fshatarët me detyrim nga e gjithë krahina.
Që nga krijimi i saj e deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kalaja ruhej dhe mirëmbahej si një vendstrehim i sigurt, sidomos në rast bombardimesh armike. Këtu gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore është strehuar i gjithë qyteti nga bombardimet.
Por kalaja mori gjallëri të veçantë kur në të që nga viti 1978 filloi Festivali Folklorik Kombëtar, një veprimtari e përvitshme, por që një herë në 5 vjet ai ndërkombëtarizohej nga grupe turistësh, gazetarësh e shkencëtarësh të huaj. Pjesa kryesore e sheshit të kalasë ishte kthyer në një skenë gjigante, që funksionon edhe sot për festivalin që organizohet më rrallë, një herë në pesë vjet.
Në kala krahas harenë së skenës së Festivalit Folklorik, në vitet ’70 të shekullit të kaluar u ngrit edhe Muzeu i Armëve, një nga më të bukurit dhe më të veçantët në vendin tonë, por që fatkeqësisht në vitet e fillimit të demokracisë u prish dhe u shkatërrua.
Jo vetëm Muzeu i Armëve u vodh e u prish, por edhe gjithë kalaja nuk e ka shkëlqimin dhe gjallërinë e dikurshme. Ky gjigant historik i monumenteve shqiptare gjallërohet një herë në pesë vjet, kur ka festivale. Po a nuk do të ishte më mirë që atje të bëhej një teatër kombëtar veror, të çeleshin ekspozita të artit figurativ, të vendoseshin statuja dhe skulptura historike!? E çfarë nuk mund të bëhet atje, që kalaja të më e ngrohtë më e dashur për të gjithë?!…
Shtëpia e Kadaresë
Gjirokastra, veç të tjerave, është lidhur edhe me një nga vlerat më të reja, me gjeniun letrar, Ismail Kadare, me atë Kadare që e ka bërë letërsinë shqipe të flasë në 45 gjuhë të botës. Disi e vonuar, por, më mirë vonë se kurrë, në, vitin 2016, në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit u hapën dhe dyert shtëpisë ku Kadareja u lind dhe u rrit, tashmë e restauruar dhe e kthyer në një monument kulture të kategorisë së parë.
Të gjendesh para shtëpisë së shkrimtarit që e ka përjetësuar Gjirokastrën nëpërmjet veprës së tij, është një emocion që zor se mund të përkthehet në fjalë, një ndjesi e jashtëzakonshme që të përshkon në çdo qelizë, ndërsa nëpër mend kalon nëpër subjektin e romanit “Kronikë në gur” kur çdo përjetim nëpërmjet vargut të tij ka marrë jetë nga kjo shtëpi. Çdo njeri që viziton shtëpinë e shkrimtarit Kadare, njihet jo vetëm me shtëpinë e tij, por edhe me mënyrën e ndërtimit të shtëpive tipike gjirokastrite të kohës, ato që sot konsiderohen unikale dhe e bëjnë këtë qytet magjepsës. Elementët përbërës të banesës së Kadaresë janë guri dhe druri, siç është e gjithë Gjirokastra.
Një udhëtim në shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare të bën të “çapitesh” në të gjitha shtëpitë karakteristike të Gjirokastrës, por edhe nëpër subjektet e romaneve ku ai përjetësoi ambientet dhe vlerat e pakontestueshme të këtyre shtëpive. Formulimi arkitektonik, volumi i ndërtimit dhe pozicioni i saj, krijojnë vlera të veçanta estetike të peizazhit të Gjirokastrës.