Ikja nga kjo Botë e dy grave në mënyrën më të pazakontë të mundshme, e kaloi “tre ditëshin” e zgjatjes së çudisë! Njerëzit, të ndihmuar edhe nga media, ende flasin për këtë ngjarje gati-gati të paklasifikueshme.
Nga një anë bëjnë mirë që flasin, sepse largojnë frikërat e tyre, nga ana tjetër, disa mund të jenë të pafat, sepse mund t’u qëllojë që për një temë kaq delikate, të “konsultohen” me personat e gabuar!
Termi më i shpeshtë i përdorur në bisedat mbi këtë ngjarje, është “lavazh i trurit”, i shprehur edhe në sinonime të tjera, për shembull “trushpëlarje”.
Trushpëlarja është arma më efikase e sundimit të një pakice “birakuvash” ndaj një shumice më inerte mendërisht, si rregull më e varfër dhe më e pashkolluar! Ata “injektojnë” në trurin e këtyre të fundit mendime apo teori radikale, duke përdorur mjete sistematike dhe shumë shpesh nën presion apo dhunë të mirëfilltë.
Përse tek disa është më e lehtë t’ua “shpëlash trurin”, ndërsa tek të tjerë kjo është e pamundur? Mendoj se kjo është “loja e kombinuar” e kryesisht këtyre katër faktorëve:
Prirja e bashkëlindur i një individi
Shkalla e pasigurisë socio-ekonomike
Niveli i arsimimit
Forca ligjëruese e “trushpëlarësit”!
Të gjithë jemi çdo ditë nën presionin e trushpëlarësve të natyrave të ndryshme!
Klienti më i mirë nuk është ai që ka arsye, ai që analizon dhe debaton, por ai që mendon “me trurin tënd”. Klienti më i mirë është ai që pranon me dëshirë si të vërtetë çdo gjë që “trushpëlarësi” i servir si të tillë!
Kujdes! Megjithëse në dukje i ndan një fill i hollë, “trushpëlarja” nuk duhet barabitur me besimin fetar! Në fakt, jo rrallë, ky i fundit përdoret si mjet për të siguruar “trushpëlarje”!
Trushpëlarja totale vetëflijuese, si rasti i grave në fjalë, për fat, ndodh tepër rrallë!
Më të rrallë akoma janë njerëzit që nuk kanë asnjë “locus” të trurit të tyre të pashpëlarë!
Të gjithë ne, në një mënyrë apo një tjetër jemi të zhytur në “mesazhe trushpëlarëse” dhe dashurpadashur na shpëlahet përkohësisht një pjesë e trurit; ajo pjesë që vendos të blejë dyshekun e ëndrrave, ose të konsumojë ekstrakte magjike nga pështyma e butakëve, ose në rastet kur beson verbërisht në dlirësinë e bamirësve të dalë nga hiçi dhe pa e kuptuar bëhesh pjesë ekonomike e lojës së tyre.
“Trushpëlarja” vjen gjithnjë me një çmim të kripur. Ajo më e thella, paguhet me jetën!
Por të shpëtuar nga trushpëlarjet, duhet të ofrohet arsim cilësor për të gjithë, të eleminohet varfëria sidomos ajo ekstreme, të identifikohen personat me prirje të lindura për të pësuar “trushpëlarje” dhe të tregohet kujdes i veçantë për ta. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, të ulet shkalla e ekspozimit ndaj “trushpëlarësve” të natyrave të ndryshme, sidomos politikanëve. Atyre, fytyrat e cilëve na mbijnë tek çdo elektroshtëpiake që ndezim.
Ata janë të gjithë njësoj dhe “trushpëlarja” është zanati i vetëm i tyre. Ata tentojnë të na shpëlajnë trurin me premtime dhe retorika irrituese për njerëzit me formim mbimesatar. Meqë “laj-shpëlaj” po kemi vetëm ata, të paktën t’i mbajmë në kontroll me rrotacion, pra të heqim një rrotë dhe të vendosim për pak kohë rrotën tjetër! Le të fikim për pak kohë altoparlantin e një “trushpëlarësi” dhe të ndezim po për pak kohë atë të një tjetri!
Nga Edi Oga për newsbomb.al