Rifillimi i kampionatit shqiptar të futbollit pa prezencën e tifozëve dhe nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë, nuk i ka kursyer skuadrat shqiptare të elitës nga koronavirusi.
Së fundmi janë zbuluar dy raste pozitive te skuadra e Partizanit, një zhvillim që ka vendosur në pikëpyetje dhe derbin e 10 korrikut në kryeqytet.
Mbi situatën në fjalë ka reaguar menjëherë KF Partizani, ku bën me dijeni se ata janë Dejan Boldor dhe Besnik Ferati.
“FK Partizani njofton se dy prej pjestarëve të ekipit Deian Boldor dhe Besnik Ferati, kanë rezultuar sot pozitiv me Covid-19. Lojtarët ditët e fundit kanë shfaqur simptomat e para dhe menjëherë i janë nënshtruar testimit të tamponit nga ku kanë rezultuar pozitiv.
Testimit të tamponit i nënshtruar edhe lojtari tjetër Amir Bilali, i cili ka rezultuar negativ. Boldor dhe Ferati fatmirësisht gëzojnë gjendje shëndetësore të mirë dhe janë vetëkarantinuar në banesat e tyre. Ndërkohë asnjë lojtar dhe pjestar tjetër i ekipit nuk kanë shfaqur simptoma.
Klubi ka marre të gjitha masat dhe ka zbatuar me rigorozitet protokollin shëndetësor të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ISHP (Insituti Shëndetit Publik) dhe do të vijojë ti përmbahet udhëzimeve për pjesen tjetër të skuadrës dhe stafit”, shkruhet në njoftim.