Nga Genc Demiraj
Në Vranisht tek ” Guri me Qiell”…
Për “Gurin me qiell” apo sofra e Zotit, kishim dëgjuar të flitej prej kohësh, por nuk kishim shkuar për ta parë .
Në atë kohë, pra në vitet ’98 – ’99 – 2000, së bashku me Novruz Bajramin, Eduard Demon dhe Met Axhushin kishim krijuar një grup të mirë “eksploratorësh” dhe nuk linim vende dhe treva pa vizituar. I kishim bredhur pothuajse të gjitha shpellat e zonës së Vlorës, si ato të Velçës, shpellën e “Ligaçeve”, të “Parashqevisë” e tjera dhe tanimë ishim bërë gati për të vizituar “Gurin me Qiell” në lartësitë e malit të Lipes, mbi Vranisht.
“Guri me qiell” ishte një monument natyror mjaft mbresëlënës, prehistorik i periudhës së neolitit të vonë 4 – 9 mijë vjet më parë !
Atë ditë pranvere te 2000, u nisëm herët që pa gëdhirë nga Vlora, për të qenë në Vranisht në lindje të diellit dhe kafen e mëngjezit ta pinim me miqtë tanë që na prisnin dhe do na shoqëronin, Muhamet Tartarin e palodhur, të paharruarin Arap Çeloleskaj, Sinan Gjolekën dhe gjithë grupin e famshëm të valles së kënduar të Vranishtit, që Muhameti i madh aq bukur i kish gërshetuar në të tre brezat ! Se edhe do të këndonim e do kërcenim atje në maj të malit dhe në maj të gurit :
– O djem’ë vallen ma mbani o djem’ o…
U nisëm… Në fillim së bashku pastaj avash- avash grupi, si të s’provuar me këto ngjitje dhe të lehtë si sorkadh, u shkëputën !
Destinacioni s’ishte dhe aq kollaj ! Ishte jo vetëm lart dhe larg por edhe teren shumë i vështirë dhe i thepisur, ndaj ne “eksploratorët” e pa stërvitur nga qyteti na dukej një stërmundim ! Nokja me Edin edhe mbaheshin dhe ishin pak më ndryshe…pa unë me Metin, aha…nuk po e hanim dot.
– Vdiqa, më thosh Meti, – më janë prerë gjunjët…po më zihet fryma, do kthehem !
– Po mos o ça thua ?! i jepja kurajo unë, që në fakt edhe unë isha që të kthehesha !
– Avash,avash ë vëlla, se është edhe turp…apo s’janë këta artistët e Vranishtit, të dhjesin numrat, të fusin në këngë këta…dhe kjo na duhet pastaj…, e nxisja më tej Metin, por më shumë veten !
– Ore më plasi mua për këngën, unë vdiqa ky më thotë kënga ! – Ore e kupton që do mbetemi këtyre gërxheve për një palo gur që do shohim !
Dhe me këtë dialog tragjikomik tonin, shoqëruar me të qeshurat e Novruzit dhe Edit si dhe me kumbimin e zërit të xha Arapit nga lartësia ku kishin mbrritur prej kohësh që më thërriste :
– Oooo Geeeeenc….po kuuu humbeeee a deee …! po thuaj një orë pas grupit mbrritëm dhe ne !
Lartësia e Sofrës së Zotit, tashmë ishte shkelur nga ne, e kishim prekur dhe shijuar atë bukuri natyrore dhe çudi njerëzore, që më shumë të habiste me mundësinë se si ish vendosur gjithë ai shkëmb mbi dy këmbë të gurta duke formuar simetrikisht një sofër të vërtetë kurbanësh në atë lartësi, mijëra vjet më parë !
Guri me Qiell, është quajtur dhe artistikisht për vetë impresionin që të jep imazhi, i parë në kënde të ndryshme shikimi, ku lartësia e bënë bashkë qiellin me shkëmbin që duket sikur fluturon në të !
Ja kujtova sot Metit këtë histori, dhe qeshëm përsëri si dikur, patjetër do të qesh edhe Edi kur ta lexoj.
Por përveç të qeshurës sot kujtuam edhe kohëra, bukuri dhe vlera nga treva e Labërisë sonë, siç kujtuam edhe miqtë tanë të paharruar Novruz Bajramin dhe Arap Çeloleskën
Në Vranisht tek ‘Guri me Qiell’!
Loading...