Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silvia Bino në një intervistë në TvT është shprehur se për shkak të rritjes së numrit të infektimeve duhet marrë në konsideratë mbyllja në fundjavë, pasi në këtë mënyrë do të kemi një ulje të shifrave të rasteve të reja.
“Unë e mendoj mbylljen në fundjavë. Është një masë që duhet marrë parasysh. Le të sakrifikojmë një ose dy fundjava për të mos pasur më shumë të sëmurë.
Parashikimet nuk janë të mira për 2-3 muaj. Edhe për dy javë të tjera parashikohet të kemi raste të rritura. Ne duhet të luftojmë ta hedhim poshtë këtë që themi. Është tepër e rëndësishme”, tha ajo.
Sipas Binos, të vetmet masa janë distancimi fizik dhe mbajtja e maskave pasi tashmë jemi në një realitet të ri kur lokalet dhe çdo gjë tjetër është hapur. Ndërsa më tej, Bino shtoi se në ditë në vendin tonë kryhen rreth 800 deri në 900 testime.
“Janë ritme që kërkojnë masa. Të vetmet janë distancimi fizik dhe izolimi. Jemi në një realitet të ri. Realiteti i ri është ky: lokalet janë hapur por distancat duhet të ruhen. Kudo që shkojmë duhet të mbajmë maskë.
Në mjediset e mbyllura qarkullon virusi. Bëhen 800-900 teste në 24 orë. Është e rëndësishme rritja e numrit të tyre. Më e rëndësishmja është izolimi i të infektuarve dhe karantina e kontakteve të tij”, tha ajo.
Në fund, Bino bëri një apel për të gjithë qytetarët që të tregohen vigjilentë pasi Covid-19 është një sëmundje djallëzore dhe të merr jetën pa kuptuar.
“Kam një apel: Covid është sëmundje djallëzore dhe tinzare. Sot isha vetë në Infektiv. Të mos i injorojmë ata njerëz që po e vuajnë këtë sëmundje. Është sëmundje tepër djallëzore që të merr jetën pa e kuptuar. Është një mesazh që më mirë të mbrohemi sesa t’u besojmë teorive konspirative pa baza”, tha ajo.