Tentoi të korruptonte policin, arrestohet 28-vjeçari

Drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurimit dhe tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore për të shmangur masën administrative, vihet në pranga nga keta te fundit.

Efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, në funksion të patrullimeve me përzgjedhje, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës, kanë ndaluar në rrugën “Teodor Keko”, drejtuesin e mjetit shtetasin me iniciale V. M., 28 vjeç, i cili po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurimit.

Në momentin që punonjësi i Policisë Rrugore i ka komunikuar arsyen e ndalimit dhe i ka kërkuar dokumentacionin për të plotësuar masën administrative, drejtuesi i mjetit, bashkë me dokumentacionin, i ka ofruar punonjësit të Policisë nje kartemonedhe me prerje nje mijë lekë të reja, me qëllim shmangien e gjobës.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe materialet proceduriale u referuan pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Loading...