Elbasan/ 60% e investimeve në 2018 shkuan në zonat rurale

Rreth 60% e investimeve të pushtetit vendor në Elbasan kanë shkuar në zonat rurale dhe vetëm 40% e investimeve në qytete.

Këto ishin disa statistika për vitin 2018 të publikuara sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Elbasanit.

Mungesa e investimeve për shumë kohë e bën fshatin me nevoja shumë të mëdha dhe ky është angazhim i bashkisë së Elbasanit.

“Reforma Administrative Territoriale ishte vendimi i duhur që fshati të ketë vëmendje dhe shërbime”, tha kryetari i bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini.

Gjatë këtij viti shumë rrugë janë rikonstruktuar, rrugë të reja janë hapur, janë ndërtuar ura dhe janë pastruar kanale që nuk pastroheshin prej 28 vitesh. Po ashtu, po rregullohen qendrat e Njësive Administrative, shkolla dhe kopshte në fshatrat, që po rikonstruktohen me standarde të njëjta si ato të një qyteti.

Në mbledhjen e sotme këshilli bashkiak i Elbasanit, diskutoi në lidhje me investimet që duhen parashikuar në buxhetin e ardhshëm. Sejdini kërkoi nga të gjithë këshilltarët të japin sugjerimet e tyre në kuadër edhe të kërkesave të qytetarëve që ata përfaqësojnë.

Nisur nga vendimi më i rëndësishëm, për miratimin e një buxheti që t’u shërbejë qytetarëve, bashkia e Elbasanit vuri në dispozicion të këshilltarëve edhe prioritetet e dala nga Buxhetimi me Pjesëmarrje, të cilat reflektojnë mendimet e qytetarëve dhe përparësitë e tyre. Mbledhja e Këshillit Bashkiak në lidhje me investimet në Njësitë Administrative, u karakterizua nga debatet ./atsh

Loading...