Vende të ndryshme të Europës janë duke rikthyer disa prej masave të karantinës pas shtimit të rasteve të infektimeve si pasojë e hapjes së kufijve për turistët.
Në Greqi, infektimet ditore janë më të larta se para lehtësimit të masave të karantinës. Të premten u shënua rekord prej mbi 60 të infektuarish brenda 24 orëve. 11 prej tyre ishin turistë.
Për këtë arsye qeveria pritet të ashpërsojë kontrollet kufitare për turistët që hyjnë, duke nisur nga e hëna, sidomos nga vendet ku ka pasur shtim të rasteve të infektimeve të reja.
Prej 14 Korrikut, kushdo që hyn në Greqi nga kufiri me Bullgarinë, duhet të paraqesë edhe një dokument që vërteton rezultatin negativ të testit për COVID-19 të kryer gjatë 24 orëve të fundit. Nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të lejohen vetëm udhëtimet esenciale.
Edhe kryeministri hungarez Viktor Orban njoftoi masa të reja që parashikojnë që shtetasit nga ky vend që kthehen nga vendet e listuara në kategorinë e kuqe, ku bën pjesë edhe Shqipëria e vende të tjera të Ballkanit, por edhe nga ato të listës së verdhë, si Serbia do t’u nënshtrohen testeve për koronavirus dhe do të qëndrojnë në karantinë 14 ditore. Po shqyrtohet mundësia që të pezullohet krejtësisht hyrja nga vendet e listës së kuqe./klan