Historia e Gazit i rritur në shtëpinë e fëmijës, këndon derisa rrugët e parkut të zbrazen nga njerëzit

Jetën e ka të lidhur me gjashtë tela, 7 nota, një vajzë dhe dashamirësinë e njerëzve.

Gazment Suku, nuk është artisti fatlum që në jetë ka patur çdo gjë.. përkundrazi…

Ai bën çdo gjë, që të gëzojë njerëzit dhe të meritojë paratë që i dhurohen nga kalimtarët. Pasditet e gjejnë gjithmonë në parkun e liqenit artificial, jo për të shëtitur, por për të dhuruar tinguj. Gazmenti në të njëjtin orar shkon në vendin e tij të preferuar dhe fillon rutinën e përditshme. Hap stativin, vendos boksin, mikrofonin, merr kitarën e siguruar me ndihmën e vyer të miqve të tij dhe fillon të këndojë.

“Vij çdo ditë këtu, është shumë kënaqësi për mua. Ka nisur që 2-3 vite më parë. Në fillim kisha ndrojtje të këndoja përpara njerëzve, por tani dashamirësia e tyre mi ka hequr emocionet.”, shprehet Gazi. Ai na tregon se ai që fëmijë është rritur nen përkujdesjen e kishave dhe se që aty filloi pasioni i tij për muzikën.

Gazi ka pasur një jetë të vështirë. Pamundësitë ekonomike i kanë detyruar prindërit e tij ta dërgojnë vogëlushin e tyre në shtëpinë e fëmijës.

Por ai ende flet me shumë dashuri për ta. E duket sikur sfidat e jetës e bënë Gazin të gjejë ngushëllim në tingujt e kitarës, por jo vetëm. Gazi tashmë frymëzimin e gjen te dashuria, dhe muzës së tij ai I ka kushtuar edhe një këngë.

“Fansja ime më e madhe është gruaja ime. Asaj i kam kushtuar shumë këngë, por më e veçanta titullohet “mana” që do të thotë bekim, dhuratë nga zoti”. Kur ishte nën kujdestarinë e kishës, Gazin e këshillonin të merrte një zanat tjetër veç muzikës, me argumentin se muzika nuk do t’i mjaftonte për të përballuar jetën, por Gazi pohon krejt të kundërtën. Gazin e lëmë pas duke vazhduar të këndojë, derisa rrugët e parkut të zbrazen nga njerëzit. Ai vazhdon të këndojë me ëndrrën se një ditë do të publikojë albumin e tij të parë./abcnews.al

Loading...