Vetëm në muajt e fundit shtatë shtetas shqiptarë janë vrarë në Greqi, ndërsa ka dyshime se një pjesë e ngjarjeve kanë prapavijë etnike.
Vrasja më e fundit ishte ajo e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Kavallës, ku viktimë mbeti një 18-vjeçar shqiptar.
Lidhur me këtë ka reaguar së fundi dhe historiania e njohur Elena Kocaqi, e cila paralajmëron fqinjët të marrin masa urgjente ndaj nazistëve.
Sipas saj, nuk do të jetë e largët dita kur ekstremistët do të vrasin dhe grekët që kanë kundërshtarë politikë, ndërsa i shpreh ngushëllime familjes së 18-vjeçarit shqiptarit.
“Ngushellime familjes per humbjen e femijes se tyre 18 vjec. Shteti Shqiptar ti kerkoj informacion Shtetit Grek ne lidhje me vrasjet e fundit te Shqiptareve dhe ne vecanti te nje femije. Shteti Grek duhet te marr masa ndaj nazisteve se, nuk do jete e larget dita qe ata do vrasin edhe Greket qe kane kundershtar politike”, shkruan Kocaqi.
Pasditen e sotme pati një reagim dhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe për Europën, që kërkonte nga pala greke t’i vihej fre provokimeve të Agimit të Artë.
“MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmentëve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj.
Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane.
Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi”, thuhej mes të tjerave në deklaratë.