Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 425 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 99 raste pozitive.
Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e përditshëm lidhur me situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 40 raste në Tiranë, nga 6 raste në Fier, Kavajë, nga 5 raste Dibër, Mirditë, nga 4 raste Krujë, Devoll, nga 3 raste Vlorë, Sarandë, Malësi e Madhe, nga 2 raste Durrës, Kurbin, Korçë, Elbasan, Lezhë, Has, Lushnjë, Përrenjas, nga 1 rast në Kukës, Berat, Pogradec, Roskovec”.
“Në 24 orët e fundit janë shëruar 46 qytetarë, duke e çuar në 2137 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1610 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës”-, tha Dervishi.
Sipas saj, në 24 orët e fundit është shtuar numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor.
“Me hapjen e COVID2, aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 102 pacientë, 11 pacientë janë në terapi intensive dhe 3 prej tyre janë të intubuar”,- tha Dervishi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kujton qytetarët detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura për çdo qytetar, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19.
“Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit ka humbur jetën një 44 vjeçare nga Tirana, prej 10 ditësh e intubuar dhe pa sëmundje bashkëshoqëruese, perveç obezitetit. Nuk e kanë fituar betejën edhe dy qytetarë, një 64 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçare nga Vlora me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”, – theksoi Dervishi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.
“Kurdo kur është e mundur, rekomandohet puna nga shtëpia. Rikujtojmë qytetarët se: vendosja e maskës në ambientet e mbyllura është e detyrueshme. Çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së infeksionit. Maska prej tekstili duhet të mbulojë plotësisht hundën dhe gojën gjatë gjithë kohës. Moszbatimi i kësaj mase është e dënueshme sipas aktit normativ, me masë administrative në shumën 2 mijë lekë të reja për çdo qytetar”, – tha Dervishi.
Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje të respektoni vetizolimin kur jeni të prekur nga COVID-19.
Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur apo keni patur kontakte me persona të prekur, duhet te izoloheni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.
COVID-19 – Statistika (16 Korrik 2020)
Testime totale 34175
Raste pozitive 3851
Raste të shëruara 2137
Raste Aktive 1610
Humbje jete 104 (Qarku Tiranë 54, Shkodër 17, Durrës 16, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 1, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 734
Durrës 209
Shkodër 199
Vlorë 104
Lezhë 86
Kukës 55
Korçë 50
Elbasan 46
Fier 42
Berat 40
Dibër 24
Gjirokastër 21/atsh