Shqipëria i ka të gjitha potencialet e vërteta për t’u shndërruar në një destinacion turistik europian

Ardhja e brandeve më të mira të hotelerisë ndërkombëtare është treguesi më i mirë se Shqipëria i ka të gjitha potencialet e vërteta për t’u shndërruar në një destinacion turistik europian.

Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës mes Mak Albania dhe firmës së njohur globale Hyatt International.

“I identifikuar për mikpritjen Hayatt House i themeluar në 1957 si strukturë akomoduese e përmasave jo të mëdha arriti në më pak se 50 vite të marrë pasaportën gold në zinxhirin e mbretërve më të njohur të hotelerisë në botë. Dhe kjo pasaportë e standardeve më të larta të cilësisë në turizëm vjen sot në Shqipëri duke iu bashkuar brandeve të tjera që janë edhe sot në Tiranë si Hilton apo Marriot, për të pasuar pastaj me emra të tjerë, që së shpejti do të jenë prezentë në Shqipëri edhe zyrtarisht”, theksoi Klosi.

Ministri u shpreh se “po aq sa ofrimi i dhjetë nga emrat më të mirë në këtë fushë është dëshmues fakti i zhvillimit shumë të vrullshëm që ka marrë ky sektor në të gjithë dimensionin e tij, jo vetëm në hotelet me pesë yje , por edhe në guest house dhe në hotele me 2, 3 apo 4 yje, hotele që tashmë janë shtrirë në të gjithë vendin në 61 bashkitë e vendit tonë”.

Ajo që duhet të garantojmë, vijoi ai, ne si institucione të cilat administrojmë politikat e turizmit, së bashku me komunitetin tuaj, me komunitetin e nderuar të atyre që kanë marrë përsipër të sakrifikojnë për turizmin shqiptar është vendosja e rregullave, vendosja e modelit, përcaktimi i rrugës, përcaktimi i standardeve të vërteta të cilësisë, me të cilat ne do ta menaxhojmë Shqipërinë tonë, atdheun tonë, i cili mundet dhe ka të gjitha mundësitë për t’u realizuar si një destinacion i vërtetë.

“Ardhja e Hayatt në Shqipëri , Hilton, Marriot, e më tej Falkensteiner, Lider Group, Melia, Blu Sirena, Alpi Tour, etj, janë emra që vijnë së bashku me standardet më të mira. Kjo do të thotë se tashmë steka apo liga në të cilën standardet e turizmit shqiptar janë vendosur është një formë shumë e mirë për të nxitur të gjithë tregun e zhvillimit të turizmit në vendin tonë”, nënvizoi Klosi.

Sipas tij, brandet do të ndihmojnë jo vetëm poseduesit e tyre por të gjithë destinacionet tona për të realizuar në Shqipëri një biznes të vërtetë që sjell punësim,ekonomi dhe sjell për të gjithë ju miq të nderuar biznes fitim për të gjithë së bashku.

“Këto brande udhëheqin rritjen e cilësisë në të gjithë atmosferën e turizmit shqiptar. Ne jemi këtu në këtë ceremoni në Sheraton, ku ky hotel ikonë e zhvillimit të turizmit shqiptar në periudhën e transformimit vjen në Shqipëri me një menaxhim të ri, me një investim te ri falë vizionit dhe urtësisë, largpamësisë së “Kastrati Group”, ne kemi mundësinë të nënshkruajmë me një nga emrat më të mëdhenj të politikave të turizmit në të gjithë rajonin tonë”, nënvizoi Klosi.

Ministri Klosi tha se “Hayatt në Shqipëri, Hilton e Marriot janë marketimi më i mirë që mund t’i japim Shqipërisë turistike, për qindra agjenci ndërkombëtare, miliona e miliona pushues që ndjekin këto emra dhe ndikojnë për të zgjedhur destinacionin e tyre, jo vetëm për pushimet e verës, por për të gjithë 12 muajt e vitit. Prania në Shqipëri në hartën e turizmit të këtyre emrave të njohur është më mirë se çdo strategji që mund ta ndërtojmë për marketingun e njërit prej hoteleve tona”.

Ndër të tjera, Klosi theksoi se “është siguria e prezencës së këtyre emrave ajo që siguron standarde të cilësisë, rrugëtimin e sigurt të një vendi i cili pranon dhe menaxhon turizmin, vend i cili pranon të shndërrohet në një shoqëri, e cila i shërben hotelerisë, turizmit mirëqenies, punësimit, të ardhmes dhe prosperitetit të një vendi europian, i cili e ka të nevojshëm të shndërrohet në një destinacion europian turistik”./atsh

Loading...