Plazhi i Darëzezës në Fier ofron këtë vit një destinacion ku mund të shijohen pushime larg rrëmujës së pjesës tjetër të bregdetit, një oaz qetësie dhe hapësire për t’u shijuar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ky plazh, ku pushuesit kanë gjetur mënyrat e tyre të argëtimit në hapësirën e lirë që ofron bregdeti.
“Sot e çdo ditë në plazhin e mrekullueshëm dhe ende të pashfrytëzuar të Darëzezës së Fierit, ku hapësira fantastike dhe natyra e virgjër krijojnë një mjedis pushimi larg rrëmujës e rrëmetit”, shprehet kryeministri Edi Rama.
Darëzeza është një plazh pak i njohur për publikun e gjerë, po me një rërë të zezë kurative.
Kjo pjesë e Adriatikut shoqërohet edhe me valët e forta të detit, duke ofruar për të apasionuarit e Kitesurfing (rrëshqitje në valët e detit), windsurf, ëakeboard, si dhe sporte të tjera.
Bregdeti i Darëzezës është i vetmi në Ballkan ku era krijon dallgë të cilat janë të favorshme për ushtrimin e këtyre sporteve të veçanta në Shqipëri.
Në fundjavë ky plazh është destinacioni i qytetarëve fierakë, e jo vetëm. Rëra këtu është e imët dhe plot jod, mbrëmjet të freskëta dhe mbresëlënëse. /atsh