Regjistrohet rasti i parë ‘i dyshuar’ me koronavirus në Korenë e Veriut

Rasti i parë i dyshuar me COVID-19 është identifikuar në Korenë e Veriut, që është vendosur në emergjencë maksimale, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.

“Ky rast ka ardhur nga një person që është kthyer më 19 korrik pasi kishte kaluar në mënyrë të paligjshme linjën e demarkacionit, që shërben si kufi me Korenë e Jugut”, sipas KCNA.

Ky person i dyshuar si bartës i virusit është prezantuar si një i arratisur që kishte shkuar në jug tre vite më parë dhe u gjet në qytetin e Kaesongut, në kufi me Korenë e Jugut.

“Personi në fjalë, fillimisht i është nënshtruar një karantinimi strikt, dhe të gjithë personat (…) që kanë pasur kontakt me këtë të dyshuar me COVID-19 dhe ata që kanë shkuar në këtë qytet këto pesë ditët e fundit janë bërë objekt i një hetimi të thellë”, shtoi KCNA.

Pyongyang kishte njoftuar më herë se nuk kishte regjistruar asnjë rast me koronavirusin e ri dhe se kufijtë e vendit do të qëndronin të mbyllura.

“Për t’i bërë ballë situatës së rrezikshme (…) që mund të çojë në një katastrofë vdekjeprurëse dhe shkatërruese, drejtuesi koreano-verior, Kim Jong Un thirri një takim urgjent të byrosë politike për të miratuar një sistem të urgjencës maksimale dhe vendosi një alarm të nivelit të lartë për të frenuar epideminë”, konfirmoi agjencia zyrtare e lajmeve.

Loading...