Detaje të reja zbulohen në të shkuarën e biznesmenit 37 vjeçar, Eugert Lazaj që vetëm pak ditë më parë u gjet i vetvrarë në banesën e tij në një kompleks luksoz në periferi të Tiranës. Pronari i “Adorions Palace”, kompleksit luksoz në Maminas, rezulton se në vitin 2004 ka lënë shtetësinë shqiptare pasi ishte pajisur me nënshtetësi gjermane ku jetonte dhe punonte prej shumë vitesh së bashku me familjen e tij. Por teksa kaloi disa vite në shtetin gjerman, 37 vjeçari Lazaj do të kthehej në atdhe dhe ndërsa e lëshoi nënshtetësinë këtë herë ai do të kërkonte nga autoritetet shqiptare të pajisej me leje qëndrimi në vendin e lindjes.
Kjo kërkesë do të miratohej nga ana e instancave përkatëse që do të pajisnin me leje qëndrimi të përkohshme Lazajn, leje kjo që do të përfundonte më 17 janar 2019. Nga ky moment 37 vjeçari do duhej të largohej nga Shqipëria pasi ndaj tij do lëshohej një urdhër dëbimi për shkak të skadencës së afatit ligjor të lejes së qëndrimit.
I vënë në këto kushte pronari i kompleksit luksoz “Adorions Palace” do të ankimonte këtë vendim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë ku do të kërkonte pajisjen me leje të përhershme dhe heqje të urdhrit të largimit nga vendi i datës 17 janar 2019.
Po pse iu refuzua leja e përhershme biznesmenit?
Burime bëjnë me dije se shkak për refuzimin e lejes së qëndrimit të përhershme për Eugert Lazajn janë bërë informacionet që kishin marrë i autoritetet se 37 vjeçari kryente aktivitet pastrimi parash.
Eugert Lazaj u gjet i vetvrarë mëngjesin e së enjtes në vilën e tij në një kompleks luksoz në periferi të kryeqytetit. Në afërsi të trupit të pajetë u gjet edhe arma e zjarrit me të cilën 37 vjeçari i dha fund jetës ku shkak kryesor dyshohet të jetë bërë gjendja rënduar psikologjike e biznesmenit./lajmifundit