Flasin vargjet, flasin librat – Nga Mentor Thaçi

MENTOR THAÇI

FLASIN VARGJET, FLASIN LIBRAT

( Një reportazh i shkurtër nga Takimi Letrar në Mynih)

Dje, e Shtunë e 30 Qershorit të k´tij motmoti (2018), Mynihu i jetëveprimit të Kolosit të Letrave Shqipe dhe Gjurmimeve Albanologjike – Prof. Martin Camaj, ishte pikësynim i pikëtakimit të shumë krijuesve mërgimtarë nga Gjermania, Zvicrra, Austria …! Dje me paradrekë ia mësyna Mynihut edhe unë me Zonjën time me synim arritjen me kohë (ne shqiptarët bukur të vonuar jemi, edhe pse të nisur para të gjithëve), e që ia arrita qëllimit tim, u takova, u ç´malla, kremtuam, shpalosëm vepra e suksese, shpalosem plane e qëllime … u rifrymëzuam dhe mbushem bateritë shpirtërore! Një organizim i bukur nga Klubi Letrar “Martin Camaj” në Mynih në bashkëkoordinim e bashkëveprim me LKSHM (duke iu falënderuar vetë Nënkryetarit të Klubit dhe Koordinator bashkëpunimi, Poetit Fran Tanushi), pjesëmarrje nderuese nga artbërës e artdashës, sallë tejet e përshtatshme dhe kushte tejet të mira për organizime të tilla, atmosferë e bukur, … të gjitha atribute për mbarëvajtje!
Planprogrami i takimit respektabil parashihte shënjim dinjitoz me vepra konkrete në vazhdën e nderimit të Kryeheroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në vitin jubilar të shkuarjes në përjetësi të tij, midis tjerash me promovime librash dhe Orë Letrare, sigurisht me një AMËLSI të veçantë, festim i Ditës së Plisit!
Nuk harruam që me një minut heshtje dhe nderim të përzemërt t´i kujtojmë edhe dy personalitete tona të artit e kulturës që ndërruan jetë në k´të periudhë njëvjeçare, Artistin-Krijuesin Agim Gashi dhe Albanologun-Krijuesin, mikun tonë të madh Robert Elsie!
Takimi Letrar u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të deritashëm të Klubit, z. Fadil Lumi, (që nga sot kemi Kryetarin e ri, poetin Sylë Bajrami) pasoi nga fjala përshëndetëse e Kryetarit të LKSHM, z. Hasan Qyqalla! U zgjodh Paneli Drejtues nga: Mustafe Krasniqi – Sekretar i Klubit, Xhevahire-Sylejmani-Maliçi (Pedagoge) dhe Mr. Murat Ajvazi, Këshilli vlerësues i poezive (Ora Letrare kishte karakter garues): Isuf Bytyqi, Muharrem Blakaj dhe Milazim Uka që vlerësuan tri poezitë më të mira: 1. Mustafë Krasniqi “Ngrehulla”, Barbara Burbuqe Heim “Ti muza ime” dhe Gazmend Dashi “Lutje Skënderbeut”!
Sigurisht se ky koordinim i shkelqyeshëm u bë falë përkujdesjes së Sekretarit të Përgjithshëm të LKSHM dhe Nënkryetar i Klubit Letrar “Martin Camaj”, poetit Fran Tanushi, bashkë me kryesitë respektabile, gjë që nuk u vërejt ndonjë mangësi, përkundrazi!
Klubi Letrar “Martin Camaj”, nderoi me Mirënjohje për bashkëpunim zotnitë: Hasan Qyqalla, Muharrem Blakaj, Murat Ajvazi dhe Mentor Thaqi, shpalli Anëtar Nderi Diplomatin e R.K. Prof. Dr, Hamdi Reçica!
Në një atmosferë tejet të ngrohtë sa edhe flladitëse shpirtnore, u promovuan dhe prezentuan një mori librash, duke filluar nga Antologjia Poetike për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun “MOTI I MADH” në përkujdesje të poetëve Fran Tanushi dhe Hasan Qyqalla, (një fjalë rreth librit e mbajti M.Th.), “ALBUMI POETIK 2018” nga Klubi Letrar “Martin Camaj” në përgaditje dhe realizim nga Fran Tanushi, një përmbledhje poetike “DHIMBJE DHE KRENARI” nga Bahri Shyti, Përmbledhjen “SHKALLA E DIELLIT” nga Fran Tanushi, Romanin “PARAARDHËSIT” nga Muharrem Blakaj, Monografinë rrëfimtare për Familjen Martire Salihaj “LEGJENDA E DHIMBJES SË HESHTUR” nga Hasan Qyqalla e Mustafë Krasniqi, Rrëfime Lufte “FSHATI I VRARË” nga Agron Limani dhe Qemajl Krasniqi!
Një koktej i begat´të me pije freskuese dhe celebruese, ushqime dhe shumë kuvendime të ngrohta, e hijeshuan shumë takimin, meritë është sidomos e zonjave fisnike, që nga zonja Tanushi dhe zonjat bashkëveprimtare të saj!
Ishte një Ditë e bukur dhe e mbarë! Falënderimi nga ana jonë si bashkëveprues (LKSHM) vjen te ju Klubi Letrar “Martin Camaj”, te secili pjesëtar i Klubit, pa dallim! Ju faleminderit!

Mentor Thaqi
(Sekretar Organizativ në LKSHM)
Mynih/VS- Villingen,
30 Qershor-1 Korrik 2018

Loading...