Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj reagon ashpër ndaj akuzave: Çfarë prisnit, të vdisja dhe të kënaqëshit?

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka reaguar ashpër ndaj një lajmi që sipas tij shkruan se infektimi i tij me Covid-19 ka qenë një mashtrim me urdhër të kryemnistrit Rama, ndërsa shprehet se ndjehet i ofenduar nga ky mashtrim.

Brataj sqaron se edhe cilët janë interesat e këtyre personave që sipas tij bëjnë lajme të tilla, ndërsa shton se janë sharlatanë dhe nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë fjalën edukatë.

Reagimi i plotë i mjekut Brataj:

STOP SHARLATANËVE, STOP MASHTRUESVE PARA SE TË JETË VONË! JETA ËSHTË MË E SHTRENJTË SE ÇDO PËRFITIM TJETËR! Çfarë gjeta sot në media!!

“Avokati i njohur hedh akuzat e rënda, zbulon mashtrimin e madh me koronavirusin në Shqipëri: Ja kush e urdhëroi Skënder Bratajn që bënte sikur ishte me Covid-19”. Ku e zbulove? Ku i ke dëshmitë, ku i ke provat? Ku e ka llogjikën? Po ty kush të urdhëron të mashtrosh, kush ta jep të drejtën të përmendësh emrin tim?

Jam i indinjuar, jam i ofenduar, jam i lënduar, jam i lodhur, jam i skandalizuar se si në vitin 2020 çdo sharlatan mund të shkruaj dhe të mashtroj, çdo pseudoprofesionist t’i tregoj vendin profesionistit, çdo përfitues mund të përdori emrin e kujtdo vetëm për pëlqime networku?

Shqipëria ka spitale psikiatrike të mjaftueshme për sharlatanët e të gjitha llojeve, këta njerëz të vegjël që pasi kërkojnë popullaritet drejtohen drejt partive të vjetra dhe të reja, drejt listave për pushtet sa herë që flitet apo afrohen zgjedhjet. Njerëz që ne C.V e tyre në të cilat nuk mbarojnë konsulencat me shtetin shqipëtar, anëtar bordesh për përfitime ekonomike-financiare! Njerëz që njohin lojrat e të gjitha llojeve, të pushtetit, të përfitimit, të futjes në çdo skut të përfitimit.

Intelektual dhe popull shqipëtar ka ardhur koha të ndahet e vërteta nga mashtrimi, profesionisti nga gjithollogu, të ndahen të shkolluarit nga diplomat e blera që e kanë masakruar këtë vend. Njerëz që mbjellin mosbesim, konfuzion me qëllim, me arrogancë dhe ulërima, njerëz që përdorin çdo fjalor të ndyrë, njerëz që nuk di nëse e kanë dëgjuar ndonjëher fjalën EDUKATË!

Sot në media në titullin e sipërpërmendur të shkruhej se:

“Rama ka caktuar Skënder Bratajn që bënte sikur ishte me Covid, por si kokrra e mollës. Ky tha se duhet të kemi frikë gripin e stinës”. Po e thashë se gripi i stinës do ti bashkohet SarsCov2 dhe e rrezikon më shumë jetën tuaj! Por ajo që dua tju them JU është se keni të drejtë! Ne nuk duhet të kemi aq frikë nga gripi i stinës, duhet të kemi frikë nga VIRUSET SI JU! Unë jam mjek dhe nuk ma nxë goja të them e provovofsh Covidin!

Ju them se është shumë e thjeshtë, pyet 172 famijle që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo sëmundje, pyet 3031 veta që për fatin e mirë janë shëruar, pyet 2417 persona aktiv të infektuar, pyet 122 që janë të shtruar në spital, pyet 23 pacient në terapi intensive, pyet 7 pacient(më fal, nuk i pyet dot) se janë të intubuar që po luftojnë me vdekjen. Nuk të njoh personalisht dhe nuk dua tju njoh! Ju zotëri që nuk më njihni, nuk besoj se jemi takuar ndonjëher, ku e dini që më ka caktuar Rama? Pse mendoni që unë nuk u sëmura? Pse nuk kënaqeni që u shërova? Çfarë prisnit, të vdisja dhe të kënaqeshit?

Besoj se puna, mjekësia dhe zoti më shpërblyen, ato më shpëtuan, unë u shërova, ato mendojnë se mund tju nevojitem edhe juve në të ardhmen! Këtu nuk diskutohet vetëm jeta ime, këtu diskutohet jeta e shqipëtarëve. Unë të uroj të mos e provosh. Por unë të kërkoj të mos luash me shëndetin e shqipëtarëve, të mos mashtrosh, unë të kërkoj të heshtësh, ti nuk je mjek, ti nuk e di për çfarë po flet.

Kjo është detyrë e armatës së mjekëve dhe infermierëve, kjo është detyrë e personelit mbështetës, kjo është detyrë e shëndetësisë që e dinë shumë mirë për çfarë flasin! Këta njerëz që shkojnë çdo ditë në punë nuk e dinë a do të kthehen të pa infektuar në familje. Ti avokat, ti gjithollog, ti keqdashës, ti shoqëri INCIVILE, mjaft me llogjet tuaja bajate, mjaft me mashtrime, mjaft me emrat tanë se nuk kemi kohë të merremi me ju.

Duam të shpëtojmë jetë njerzish, duam të ruajmë shëndetin e shqipëtarëve. Ju institucione shtetërore ju lutem, ndalojini këta njerëz që po luajnë me jetët tona, ju media nëse keni përgjegjësi pozicionohuni kundër këtyre viruseve të pa zhdukshëm! Ti populli im, ruaj shëndetin tënd dhe të familjes, ruaj shëndetin e shqipëtarëve, ndaloji këta përfitues të pa mëshirshëm. Kush luan me shëndetin nuk ka kufij njerëzor, nuk ka humanizëm! Si mund të lihen të lirë?

Ti populli im të lutem: Vendos maskën në ambientet e mbyllura. Ruaj distancën. Zbato rregullat e higjenës. Mos lejo sharlatanët të venë në rrezik jetën tënde! Dr.Skender Brataj

Loading...