Fotoja e mjekëve/ Prej muajsh në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 dhe pa asnjë ditë pushim

Prej muajsh e gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit. Mirëpo ata që ndihen më të lodhur dhe stresuar nga kjo situatë janë mjekët dhe infermierët që ndodhen në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.

Kështu mjekët e klinikave të Kosovës, ku deri më tani janë raportuar 10,988 persona të prekur nga sëmundja COVID-19, janë shprehur të lodhur nga fakti që prej 6 muajsh nuk kanë bërë aspak pushim.

Lindita Ajazaj, drejtoreshë e Klinikës Infektive në Prishtinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se stafi mjekësor është i stërlodhur dhe i ngarkuar.

“Ne jemi duke punuar vazhdimisht prej fillimit të pandemisë, janë bërë gjashtë muaj prej rastit të parë, dhe po vazhdojmë pa pushim. Stafi është shumë i lodhur. Kanë punuar pa pushim, dhe sa i përket pushimit vjetor ne si staf i Klinikës Infektive nuk e kemi marrë, për shkak të situatës aktuale me pandemi. Dhe ende nuk kemi ndonjë konfirmim zyrtar se mund të shfrytëzohet pushimi vjetor”, ka thënë Ajazaj.

Infektologu Sali Ahmeti, ka bërë thirrje për respektim të masave nga ana e qytetarëve, sepse përveç mbrojtjes personale sipas tij do të lehtësohej edhe puna e stafit shëndetësor.

‘’Ne po i bëjmë gjashtë muaj sot, kur edhe e kemi konfirmuar rastin e parë me Covid- 19 në Kosovë. I gjithë stafi i QKUK së dhe spitaleve regjionale janë duke u ballafaquar në mënyrë intensive për shkak të shtimit të madh të numrit të rasteve dhe mbingarkesës së spitaleve. Stafi është i ngarkuar i lodhur por nuk janë dorëzuar dhe po i kryejnë punët me dinjitet. Do të ishte mirë që duke i respektuar masat të ndikohet në zvogëlimin e numrit të rasteve dhe kjo do ta lehtësonte pos tjerash edhe punën e stafit shëndetësor’’, ka deklaruar ai për Radion Evropa e Lirë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka njoftuar të enjten se në institucionet shëndetësore në Kosovë aktualisht janë të shtrirë, 589 pacientë që janë të infektuar me koronavirus, apo janë në pritje të rezultateve.

Sipas raportit ditor të SHSKUK-së, Krasniqi ka thënë se 365 pacientë janë në oksigjenoterapi, 41 janë në respiratorë, 11 të intubuar derisa 30 të tjerë po trajtohen me forma tjera të asistimit të frymëmarrjes.

Kosova ka regjistruar të enjten 193 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 491 mostrave. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar edhe tetë viktima, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 373.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të enjten janë regjistruar edhe 205 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 3,999. Kjo i bie se aktualisht, numri total i të shëruarve (6,616) është më i madh sesa i rasteve aktive.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë në një konferencë për media nga Gjakova se në Kosovë po vërehet një ulje e lehtë e numrit të rasteve të prekura nga koronavirusi.

Loading...