Deputetja Rudina Hajdari është shprehur e shqetësuar për fatin e emigrantëve shqiptarë, të cilat prej tre ditësh po presin në radhë të gjata në pikën kufitare të Kakavijës.
Qytetarët shqiptarë ndodhen në kushtet e vështira të vapës së madhe, mungesës së higjienës dhe ujit të pijshëm.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Hajdari i ka bërë thirrje qeverisë që të lërë pushimet dhe deklaratat boshe, por të gjejë një zgjidhje konkrete për këtë situatë. Ajo është ofruar personalisht për t’u angazhuar në zgjidhjen e situatës, përmes bisedimeve me homologë grekë.
Deri në këto momente, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka deklaruar se është në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikën kufitare edhe pas orës 22:00. Ndërkohë që deri tani pala greke ka rritur testimet në 330 në orë, nga 200 testime në orë që ishin më përpara.
Reagimi i plotë i Hajdarit:
Jam shumë e shqetësuar për fatin e mijëra bashkëqytetarëve të cilët po vuajnë radhët e stërgjata në Kakavijë.
Së pari dua ti bëj thirrje qytetarëve të Gjirokastrës të solidarizohen sa të munden me ata që kanë hall sot, duke dhuruar ujë e ushqime por edhe duke strehuar nëse munden fëmijët e të moshuarit.
Kur qeveria na lë në baltë, duhet të përkrahim fort njëri tjetrin. Së dyti i bëj thirrje qeverisë të lerë pushimet dhe deklaratat boshe por te hidhet urgjent në aksion konkret për të zgjidhur këtë situatë.
Nuk është koha as për plazh e as për deklarata politike. Situata e krijuar po rrezikon jetët e njerëzve. Së pari nga Covid, sepse grumbullimet janë masive dhe të pakontrolluara e së dyti nga temperaturat e larta dhe rreziku i dehidratimit, për shkak se nuk ka mundësi furnizimi me ujë të pijshëm.
Njerëzit kanë hall dhe e kanë urgjent!! Personalisht do të angazhohem në biseda me homologë të Parlamentit Grek për të ndihmuar sadopak në zgjidhjen e situatës.