Admir Golemi, shofer i ambulancës që përplasi për vdekje fëmijën 10-vjeç Samuel Ndoji në Kakavijë do të qëndrojë në burg pa afat. Masa e sigurisë është dhënë ditën e sotme nga gjykata e Gjirokastrës.
Në kulmin e kaosit që u krijua në Kakavijë nga radhët e gjata 10-vjeçari me origjinë nga Lezha që po priste me prindërit për të kaluar në Greqi u përplas për vdekje nga ambulanca në afërsi të kthesës së fshatit Bularat.
Gazetari i Report Tv në Gjirokastër Piro Nase mëson se shoferi ka shpjeguar para gjyqtarit rrjedhën e ngjarjes sipas versionit të tij duke deklaruar se në automjet në momentin e përplasjes kishte një të sëmurë dhe nxitonte për ta çuar në spitalin e Gjirokastrës.
Më tej, Golemi është shprehur se fëmija 10-vjeç i ka prerë rrugën. “Ai doli furishëm nga krahu i majtë i rrugës” është shprehur ai. Po sipas shoferit shpejtësia e ambulancës në momentin e aksidentit ishte 75 km/ h.
Avokati i të pandehurit Çlirim Rabaj është shprehur se klienti i tij ka qenë brenda normës së shpejtësisë së lejuar dhe se për këtë fakt ai veçse ka zbatuar rregullat e vendosura.
Prokurorja e çështjes Ermira Munelli paraqiti faktet nga ana e grupit hetimor të cilat sqarojnë ngjarjen e ndodhur mesditën e së shtunës së kaluar. Ndonese deklarimet e të pandehurit janë dëgjuar në fund gjyqtarja Blerta Çibuku ka dhënë masën e sigurisë arrest në burg për shoferin e autoambulancës.
Shoferi i ambulancës akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e fëmijës.