Mijëra qytetarë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga shtete të ndryshme të botës bëhen pjesë e Pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorit në Berat.
Festa e Shenjtë e Bektashinjve organizohet ka filluar që me datë 20 gusht dhe do të vazhdojë deri më 25 gusht, ndërsa dita kulminante e këtij Pelegrinazhi është në datat 22 dhe 23 gusht. Çdo vit në Teqenë e Kulmakut ka pasur rreth 400 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, Diaspora e bota. Por këtë vit si pasojë e situatës së epidemisë së koronavirusit mësohet se do të jenë deri në 200-300 mijë pelegrinë.
Gazetari i njohur Ferdinand Samarxhi informoi se për mënyrën sesi zhvillohen ritet për këtë festë ku njerëzit mblidhen të veçuar në natyrë duke shmangur afrimin fizik dhe social, është bërë i mundur kontrolli shëndetësor në hyrje të vendit të shenjtë, ku qytetarëve i matet temperature dhe ata kalojnë nëpërmjet një tuneli dezinfektimi.
“Riti nuk ndikohet nga pandemia se njerëzit vijnë në mal, i drejtohen Zotit, blatohen me perënditë, marrin kurbanit, shkojnë në një korie, pranë lumit apo përroi. Pra këtu është vetë natyra e riti e distancuar dhe prandaj dhe të gjitha kushtet që janë mirë-organizuar nga bashkitë dhe policia janë për t’u lavdëruar. Që kur hyn në mal të Tomorit ndeshet me masa të rrepta sigurie, ku ço njeriu i matet temperatura, kalon në tunelin e dezinfektimit. Në ditët në vijim mund të ketë një fluks më të madh”, tha Samarxhi
Teqeja e Kulmakut është përgatitur dhe ka hapur dyert disa ditë më parë për të pritur pelegrinët që do të bëhen pjesë e kësaj feste si dhe janë të gjitha marrë masat që në malin e Tomorit të mos mungojnë çadrat për pelegrinët, tualete, ndriçimi dhe uji i pijshëm.
Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë,në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës,por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorit, i cili ndodhet 2417 metra mbi nivelin e detit. Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorit përfundojnë në 25 Gusht.