Mesazhi i fortë i Metës:Historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor!

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë një postim publik për Ditën Europiane të kujtimit të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit duke thënë se historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për lirinë, demokracinë, të drejtat.

Kreu i shtetit nuk lë pa përmendur dy kryeveprat botërore “Arturo Ui” i Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orëell, për të cilat thotë se na mësojnë kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui.

“I rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit”, shkruan Ilir Meta.

Mesazhi i plotë i Presidentit Meta:

Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit nderojmë të gjithë jetët e pafajshme të humbura nga krimet dhe terrori i dy ideologjive shkatërrimtare dhe bashkëndajmë dhimbjen me të gjithë ata që u mbijetuan burgjeve, internimeve dhe torturave çnjerëzore.

Historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor. Një nga tiparet e regjimeve totalitare është fshirja e kujtesës historike, fillimisht nëpërmjet propagandës, e më pas edhe represionit.

Për mbi 4 dekada ne u shndërruam në Korenë e Veriut të Europës, ndaj kemi sot përgjegjësinë për të mbrojtur në çdo moment lirinë, demokracinë, pluralizmin e paqen sociale, që nuk na janë dhënë njëherë e përgjithmonë. “Arturo Ui” i Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orëell, dy alegoritë më të jashtëzakonshme të Nazizmit dhe Stalinizmit, i kanë dhënë mbarë njerëzimit mesazhe të vlefshme në çdo kohë dhe tepër paralajmëruese.

Dy kryeveprat botërore na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit.

Apo ashtu si në Fermën e Orëellit, kafshët e shtypura pasi rebelohen për liri e barazi, befas një elitë dinake e udhëhequr prej derrave me parimin se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët” merr kontrollin e pushtetit dhe një tirani zëvendësohet me një tjetër.

Të mos harrojmë kurrë tragjeditë e së shkuarës dhe duke bashkuar të gjitha forcat të bëjmë më të mirën që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat, liritë dhe të ardhmen e tij të sigurtë europiane në Shqipëri dhe jo si emigrant në vende të tjera.

Loading...