Pse Greqia dhe Turqia janë gati të shkojnë në luftë/ Çfarë pasurish fsheh Mesdheu Lindor?

Turqia, Greqia dhe Qipro janë përfshirë në një konflikt që po përshkallëzohet duke përdorur edhe anijet úshtarake. Por cili është synimi tyre?

Ashtu si në shumë mosmarrëveshje globale, vendet në fjalë kanë konflikte me njëra-tjetrën për qasjen në burimet natyrore, përkatësisht depozitat e mundshme të gazit dhe të naftës në detin e Mesdheut.

Tensionet në Mesdheun Lindor nuk janë asgjë e re, pasi aleatët e NATO-s dhe fqinjët si Greqia dhe Turqia janë në prag të lúftës për një sërë çështjesh që nga vitet 1970.

Konkurrenca për të drejtat e eksplorimit në rajon, për rezervat e naftës dhe gazit është mosmarrëveshja e fundit mes dy vendeve.

Por, çfarë ka ndodhur? Turqia dërgoi në fillim një anije eksplorimi në Mesdhe në maj të vitit 2019 ku realizoi testime sizmike dhe shpime eksploruese jashtë bregdetit verior të Qipros.

Si përgjigje ndaj këtij veprimi, BE sanksionoi Turqinë në korrik të vitit 2019, duke zvogëluar ndihmën financiare për vendin gjatë vitit 2020 me 145.8 milionë euro.

BE-ja ka vazhduar të tregojë “solidaritet të fortë” me Greqinë dhe Qipron, duke paralajmëruar vazhdimisht Turqinë që të reduktonte aktivitetet e eksplorimit gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë, ministria e jashtme e Turqisë lëshoi një deklaratë në atë kohë duke thënë se sanksionet e BE-së “në asnjë mënyrë nuk do të ndikojnë në vendosmërinë e Turqisë për të vazhduar aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor”.

Ndërkohë në qershor, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, pas një takimi me Përfaqësuesin e BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, dënoi veprimet e Turqinë.

Nga fundi i muajit gushtit, Greqia dhe Turqia kanë vendosur anijet e tyre úshtarake në Mesdhe duke kryer ushtrime lúftarake konkurruese në detin midis Kretës dhe Qipros. Në përgjigje të konfliktit Greqia njoftoi në 26 gusht se do të zgjerojë ujërat e saj territoriale nga 6 milje detare në 12 milje detare.

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas paralajmëroi të dy vendet se ato ishin “duke luajtur me zjarrin, dhe çdo shkëndijë sado e vogël mund të çojë në një katastrofë”.

Po Qipro? Historikisht, marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë kanë qenë të tensionuara dhe kanë qenë të përqendruara kryesisht te Qipro. Turqia e njeh Qipron, si Republika Turke e Qipros Veriore.

Kombet e Bashkuara e njohin atë si një “territor të Republikës së Qipros që aktualisht është nën qeverisjen turke”. Qipro dhe Turqia i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike zyrtare që nga viti 1974.

Si qëndron e vërteta e gazit? Mosmarrëveshja ka hapur plagë të vjetra sepse zona ku Turqia fillimisht dërgoi anije përfshin ujërat e brigjeve veriore të ishullit. Qiproja dhe BE e konsiderojnë veriun pjesë të Republikës së Qipros dhe ujërat që e rrethojnë, pjesë të Zonës Ekskluzive Ekonomike (EEZ) që do të thotë se vendet e BE-së kanë të drejtën ekskluzive të peshkimit, stërvitjes dhe kryerjes së aktiviteteve të tjera ekonomike.

Por ndërsa Turqia njeh Qipron Veriore si të pavarur, Ankaraja ka deklaruar se ka të gjithë të drejtat për të eksploruar në ujërat e Mesdheut. Në maj 2019, në kohën kur filluan mosmarrëveshjet, ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez, tha: “Turqia do të vazhdojë operacionet e saj.”

Ai shtoi se marrëveshjet e njëanshme të bëra midis Qipros dhe vendeve të rajonit që u përpoqën të “vidhnin” të drejtat e Turqisë dhe qipriotëve turq nuk kishin “asnjë vlefshmëri ligjore”.

Deri në gusht të vitit 2020, qëllimi i operacioneve shpuese eksploruese të Turqisë u zgjerua duke përfshirë ujërat në brigjet e jugut të Qipros dhe një zonë më të madhe deti në Mesdheun Lindor midis Qipros dhe Greqisë.

Greqia pretendon se kjo zonë është mbi kufirin e saj kontinental dhe në këtë mënyrë ka të drejta ekskluzive për çdo depozitë të mundshme të gazit dhe naftës.

“Fryma osmane” Gara e energjisë mund të interpretohet si një aspekt tjetër i përpjekjes së presidentit turk Erdogan për të zgjeruar ndikimin e Turqisë përtej kufijve të saj. Madje kjo ka bërë që disa komentues të deklarojnë se Erdogan ka përqafuar “frymën osmane”.

Gjatë fushatave elektorale të kaluara, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdogan ka përdorur madje parulla të tilla si “pasardhës i osmanëve” për të përshkruar mbështetësit dhe vetë presidentin./Abcnews

Loading...