Zgjerimi i kufirit grek, Berisha: Zonat me gazi dhe naftë i merr Greqia, do të humbasim triliona euro

Për ish-kryeministrin Sali Berisha, kreu i qeverisë Edi Rama gënjen për marrëveshjen e detit me Greqinë. Përmes një postimi në “Facebook”, Berisha akuzoi Ramën se nuk po shikon interesin e vendit, por vetëm atë vetjak.

“Për të larë duart si pilati pas vendimit të qeverisë greke, i cili zgjeron atdheun helen me një sipërfaqe të njëjtë me të Thesalisë, Zografi Bis dhe vasalët e tij mashtrojnë në mënyrë të paturpshme se zgjerimi i kufirit detar nga 6 në 12 milje nga Greqia nuk ka të bëjë fare me kufirin ujor shqiptaro-grek, e nuk ka të bëjë me marrëveshjen e detit.

Një gënjeshtër të tillë të turpshme mund të bëjë vetëm një apatrid që thotë “ç’më duhet mua se çfarë ndodh me vendin tim”, dhe ata të cilët për një arsye apo një tjetër pranojnë të shkelmojnë mbi veten e tyre.” Edvin Kristaq Zografi flet sikur Shqipëria nuk ka qindra km kufij detar me Greqinë, por sikur ndodhet diku në veri të Ballkanit apo në Afrikën Qendrore dhe sikur nuk ka ekzistuar një marrëveshje dhe negociata të mëvonshme për marrëveshjen e detit midis të dy vendeve.”

Në një analizë të gjatë, ish-kryeministri arriti në përfundimin se Shqipëria do të humbë milje nëse Greqia zgjerohet.

Sipas tij, shteti fqinj do të zgjerohet në zona mjaft të pasura me naftë e gaz, çka do t’i kushtojë vendit tonë triliona euro.

“Zgjerimi nga 6 në 12 milje i kufirit detar nga Greqia, Shqipëria humbet vetëm në territor pothuaj aq sa pushton det kalimi nga 6 në 12 milje. Kështu, zonat me distancë 12-24 milje, që janë dhe zonat që besohet se kanë triliona euro depozita gazi dhe naftë, me zgjerimin e Greqisë nga 6 në 12 milje ato kalojnë në territorin e saj duke bërë që Shqipëria të humbasë trilionë euro nga ky zgjerim. Për ata të cilët duan të dinë të vërtetën, Shqipëria e cila ta zemë në një distancë 18 km midis dy vendeve do të kishte të vetat 12 milje, tani do të ketë vetëm 9 milje dhe kjo humbje vazhdon gjer në distancën 12 milje.

Në tërësi, po të kemi parasysh hapësirën e kufizuar të saj në detin Jon, Shqipëria humbet qindra e qindra km nga territori i saj aktual detar. Ky vendim nuk ka asnjë implikim për zonat si Kanali i Korfuzit në vendet ku distanca është 12 milje e më pak. Ky vendim ka të bëjë jo vetëm me territorin detar, por edhe atë ajror të Shqipërisë, duke i shkaktuar humbje financiare vendit për shkak të spostimit të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Greqisë.”

Ditët e fundit, opozita në vend i është “vërsulur” kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po i jep detin Greqisë. Reagimet e shumta erdhën pas një deklarate të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis se Greqia do të zgjerojë kufirin detar në Jon. Por nga ana tjetër, vetë Rama e mohon diçka të tillë, për më tepër të ketë marrëveshje mes palëve.

Loading...