Propozimet për datën e zgjedhjeve, Meta mes 18 prillit të PD-së dhe 9 majit të PS-së

Presidenti Ilir Meta do të nisë këtë të premte konsultimet me të gjithë krerët e partive apo përfaqësuesit e tyre, për të vendosur datën e re të zgjedhjeve. Më 4 korrik kreu i shtetit do të presë në Presidencë sugjerimet e tyre lidhur me datën që shohin të arsyeshme për të marrë votën e qytetarëve.

I vetmi që ka treguar gatishmërinë për të dorëzuar vetë në Presidencë propozimin për datën e zgjedhjeve parlamentare është kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ashtu siç burime për Report Tv konfirmojnë, do t’i sugjerojë kreut të shtetit për t’i drejtuar shqiptarët drejt kutive të votimit të dielën e parë të periudhës zgjedhore, pra më 18 prill.
Të njëjtën datë, konfirmojnë burime për Report Tv, do të sugjerojë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila do të dërgojë sugjerimin e saj në tryezën e kreut të shtetit nëpërmjet Petrit Vasilit.

Vetë kryeministri Rama ka zgjedhur të shmangë takimin me kreun e shtetit në Presidencë. Të premten në orën 11:00 Presidenti do të presë Sekretarin e Përgjithshëm të socialistëve, Taulant Ballën, i cili edhe më herët ka artikuluar si propozim për datën e zgjedhjeve 9 majin.

Pasditen e së premtes, në orën 17:30 do të paraqesë propozimin e saj për datën kur qytetarët do të shprehin vullnetin e tyre me votë për përfaqësuesit në parlament, edhe Deputetja Rudina Hajdari, e cila para se të marrë një vendim është konsultuar në rrjetet sociale edhe me qytetarët.

Ndonëse partitë kanë nisur përgatitjet për garën elektorale, zgjedhjet e 2021 pritet të jenë ndryshe për qytetarët shqiptarë. Ata do t’i përcaktojnë ligjvënësit sipas preferencave në emra dhe jo vetëm siglës së partisë që i përkasin. Por lista tërësisht apo pjesërisht të hapura, por edhe formula e koalicioneve pritet të vendoset nga Këshilli Politik, i cili do të nisë sërish punën në shtator pas pushimeve të gushtit.

Loading...