Ky është Shkëlzen Buci. Ai eshte denuar me 13 vite burg, pasi qëlloi aktorin Mishel Prela sepse i duheshin para për kurimin e të vëllait që vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe që gjithësesi ndërroi jetë.
Megjithëse i përkushtuar për shpëtimin e të vëllait ai nuk denoncoi asnjëherë zhdukjen e të motrës Eglantina Buci, e cila humbi gjurmet në 2012 dhe për të cilën së bashku me të atin këmbëngulnin se ishte larguar jashtë vendit.
Vajza ishte vrarë nga dy burrat e shtëpisë, për çështje nderi ndonëse pas lëshimit të urdhër arresteve asnjëri prej tyre nuk ka folur ende. Burime të Top Channel tregojnë se implikimi për krimin në familje i Faik dhe Shkëlzen Bucit u konfirmua nga rezultatet e ADN.
Ndaj eshtrave të zbuluara në Malin me Gropa në Dajt në vitin 2012 është kryer ADN e tyre dhe më pas këto të dhëna u krahasuan me ADN e nënës së viktimës e cila ishte divorcuar në 1993 dhe të gjithë fëmijet i kishte mbajtur kryefamiljari.
Burime pranë prokurorisë së Tiranes shtojnë se të dhënat krahasuese përputheshin dhe në këtë mënyrë viktima është identifikuar 8 vjet pasi u gjet e vrarë me një plumb në kokë.
Nuk jepen të dhëna që i lidhin dy burrat e familjes Buci me vrasjen e Eglantinës, që besohet se u qellua për vdekje nga i vëllai me urdhër të babait.