‘Ja kam dhan besën e shqiptarit Zotit me sjellë dashni e paqe’/ Ekspozohet letra e rrallë e Nënë Terezës në shqip

Tre dorëshkrime të Nënë Terezës, përfshi një letër e cila vjen për herë të parë në origjinal për sytë e publikut, u ekspozuan në vigjilje të ditës së shenjtërimit të saj në COD, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në praninë e Kryeministrit, përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe akademikëve.

Letra që ekspozohet për herë të parë në origjinal daton më tetor 1989 dhe përmban pasazhe shqip. Ajo ka qenë në fondin e papërpunuar të Ramiz Alisë dhe u evidencua gjatë procesit të përpunimit vetëm pak ditë më herët.
“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni” shkruante Nënë Tereza në letrat e saj, dorëshkrime të cilat ruhen me shumë kujdes në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se trashëgimia që Shën Tereza na la dhe porosia e saj për të ndezur një qiri në vend se të mallkojmë errësirën, janë një burim drite e frymëzimi për të lënë gjurmën tonë në rrugën e kësaj jete që na është dhënë përkohësisht.

“Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”. “Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”. “Të duash të të duan, kjo është jeta”. Këta janë fjalën në gjuhën shqipe, me të cilat Tereza do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia. Shenjta Tereza e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në gusht të 1989-s. Ishte shumë emocion, kisha kuriozitet të madh dhe pse mundësia për ta ndjekur pas në hapat e saj nuk është ajo që është sot. Letra e saj e tetorit të vitit 1989 ka qenë e papërpunuar në Arkivin e Shtetit. Përpunimi i arkivit të asaj kohe ka përfunduar vetëm në 2020-n. 30 vjet për të përpunuar një thesar informacioni, duke iu referuar dokumenteve autentikë”, u shpreh kryeministri Rama.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido tha se fjalët e saj në gjuhën amtare përmbajnë simbolikën e mbrujtjes së traditës së kombit nga vjen, që i mundësoi të bëhej përtej kombeve shenjtorja e të varfërit dhe të vobektit, e humanizmit dhe e dhembshurisë, e mbi të gjitha shënjtorja e dashurisë së njeriut ndaj njeriut.

“Në këtë vigjilje të ditës së shenjtërimit të saj prej një feje, por njëherazi festë zyrtare në Shqipëri përtej çdo feje, nuk menduam mënyrë më të mirë, bashkë me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, që shenjtërinë e shqiptarinë e Nënë Terezës ta përcillnim veçse përmes fjalëve të saj; në tre letra dorëshkrim të cilat ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe një fotografi të rrallë gjatë vizitës së saj në Shqipëri”, tha Dr. Bido.

Më pas fjalën e mori Imzot George Frendo, Kryetari i Konferencës Ipeshvore të Shqipërisë i cili tha se Nënë Tereza edhe pse një murgeshë katolike ajo është ikonë për të gjithë shqiptarët, për të gjithë shoqërinë, ndërsa tha se Nënë Tereza është personazhi më popullor i shekullit të XX.

“Çdo njeri ka nevojë për respekt, për dashuri pavarësisht nga situata e tij. Çdo njeri ka një dinjitet të pazëvendësueshëm. Ky është besoj unë kontributi i madh i saj dhe prandaj ka merituar çmimin Nobel për Paqen” u shpreh Imzot George Frendo.

Gjatë fjalës së tij studiuesi Shaban Sinani ndau me të ftuarit se sa i lumtur ndihej që ai kishte patur fatin të takonte Nënë Terezën në vitin 1993 dhe se në atë takim kishte bërë një gabim pasi i kishte kërkuar Nënë Terezës një intervistë dhe përgjigja e saj kish qenë e shkurtër duke i thënë se nuk kishte dhënë kurrë ndonjë intervistë por nëse do të donin mund të thonte diçka për gazetë.

“Nënë Tereza një personalitet që përcillte kumte dhe jo dialogje, dhe kumti i saj u botua fjalë për fjalë ashtu si e tha në komunikimin e bërë “E doni shqipërinë duke dashur njëri tjetrin” tha Sinani.

Ekspozita “Nënë Tereza, Shenjtorja Shqiptare” do të qëndrojë e hapur në COD sot, datë 5 shtator 2020 nga ora 09:00 deri në orën 21:00.

Hyrja në ekspozitë është e lirë, duke respektuar rregullat mbi masat kufizuese të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në vijim ekspozita do të projektohet në fasadën e jashtme të ndërtesës së Kryeministrisë në datat 5, 6 dhe 7 shtator 2020, nga ora 20:00 deri në mesnatë.

Loading...