Për ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Partia Demokratike është marrë peng nga Lulzim Basha. Gjatë një interviste të dhënë për “Vizion Plus”, Topalli tha se ka ardhur koha që ai të largohet, për më tepër që është filmuar duke falsifikuar votat.
“PD ka për detyrë të çlirohet nga pengmarrja. Një person që ka mbajtur karrigen e kryetarit të partisë dhe është filmuar se ka falsifikuar votat, nuk duhet të qëndrojë. Historia e tij është historia e një axhende ekonomike.
Në një situatë të tillë, shumica e shqiptarëve nuk pajtohet, ndaj janë edhe pa alternativë. Tradhtia më e madhe që ka bërë është se e ka lënë vendin pa opozitë. Ka dezertuar nga detyra për të bërë betejë.”
Në një intervistë të gjatë dhënë gazetares Olta Blaceri, ish-nënkryetarja e PD sulmoi ashpër Bashën si njeri që është i blerë nga oligarkët në këmbim të interesave ekonomike personale.
Topalli u shpreh e bindur se me Lulzim Bashën, PD nuk mund të vijë kurrë në pushtet e se rruga e vetme është që kjo forcë politike të çlirohet nga ky kryetar për tu rikthyer në krye të vendit.