Selenicë, Vlorë Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, gjatë konferencës rajonale për parandalimin e kultivimit të kanabisit. I nderuar z. prefekt i qarkut Vlorë,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor dhe të institucioneve,
Të nderuar përfaqësues të medias dhe pjesëmarrës, Takimi që po zhvillojmë është i një rëndësie të veçantë, pasi ka të bëjë me marrjen e masave, që bashkërisht të përmbushim një objektiv madhor për vendin, atë të zhdukjes së fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Një nga sfidat personale të miat, sapo mora detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, ishte pikërisht ky objektiv, ndaj sot jam këtu me ju për të diskutuar e për të gjetur rrugët dhe format e duhura që asnjë person i qarkut Vlorë dhe jo vetëm, por asnjë qytetar në të gjithë vendin, të mos ndërmarrë iniciativa të tilla për të kultivuar kanabis, pasi Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të parandaluar, evidentuar dhe goditur me ashpërsinë e ligjit çdo rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie kriminale.
Në çdo qark të vendit, në çdo dalje televizive, në çdo takim që kam zhvilluar, kam përcjellë këtë mesazh “zero kultivim për këtë vit” dhe se kam thenë as për të fituar kredo për vete dhe as për show televiziv, por për të ndërgjegjësuar qytetarët, aktorët dhe faktorët, që secili të marrë përgjegjësitë e veta, përpara se të përballet me forcën e ligjit.
Policia e Shtetit ka nisur punën më herët, duke hartuar Planin e Veprimit, duke u fokusuar në këto drejtime kryesore: – Sensibilizimin e komuniteteve të përfshira, duke bashkëpunuar kryesisht me shkollat, median dhe komunitetet rajonale; – Kontrollin e pandërprerë të territorit, duke synuar parandalimin dhe goditjen që në fazën e parë të kultivimit;
– Intensifikimin e veprimtarisë policore dhe asaj hetimore për zbulimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të tregtimit të farave të bimëve narkotike dhe ndëshkimin e organizatorëve të kultivimit e trafikimit të lëndës narkotike kanabis sativa;
– Rritjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në Planin e Veprimit, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, kryesisht me partnerët italianë;
– Identifikimin dhe ndëshkimin e punonjësve të administratës dhe atyre në radhët e Policisë, të cilët neglizhojnë ose bashkëpunojnë në forma të ndryshme në kultivimin e bimëve narkotike.
Për të jetëzuar këtë plan veprimi e shikoj të domosdoshme bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, si dhe përfshirjen e gjerë të publikut në procesin e informimit, por dhe të denoncimit nga ana e tyre të çdo tentative apo rasti në zonat ku ata banojë.
Në shumicën e qarqeve janë organizuar takime sensibilizuese dhe konferenca rajonale, me pjesëmarrje të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, me qëllim marrjen e përgjegjësive nga të gjithë aktorët që i ngarkon ligji me përgjegjësi. Jam shumë i bindur që në rast se secili prej nesh do bëjë detyrën dhe në rast se do të kemi komunitetin aleat në këtë luftë, sfidën e kemi të fituar.
Strukturat e Policisë kanë nisur prej javësh kontrollin masiv të territorit. Në këtë kontroll duhet të përfshihen kryepleqtë e fshatrave, përfaqësuesit e njësive administrative, Policia Bashkiake, inspektorët pyjorë dhe të mjedisit, ata të zonave të mbrojtura dhe OSHEE-ja.
Unë dua të flas hapur e pa rezerva, sepse nuk kam frikë nga e vërteta, se e vërteta sado e hidhur të jetë, po e kurove shërohet. Siç jeni informuar ndërmjet medias nga njoftimet e Policisë, muajt e fundit Policia e Shtetit po ndeshet me laboratorë për kultivim të kanabisit me llamba dhe askush nuk po informon, askush nuk po i shikon, as OSHEE-ja nuk bën bilancin e harxhimit të energjisë në zonë.
Ligji na ngarkon të gjithëve njësoj me përgjegjsësi dhe kur ligji zbatohet nga të gjithë ose kur të gjithë punojnë që ligji të triumfojë, krijohet një ambient i pasigurt për shkelësit e ligjit e trafikantët dhe një ambient i sigurt për shoqërinë.
Ju siguroj se cilido që do konstatohet në shpërdorim detyre do përballet me ligjin, sikundër cilido nga punonjësit e Policisë që do të abuzojë apo më keq akoma do të bëhet palë me ta, do ketë penalitetet më të rënda që parashikon ligji në këto raste.
Gjithashtu, në funksion të parandalimit dhe trafikimit të kanabisit, po bashkëpunojmë fort me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Krahas monitorimit ajror nga GDF-ja, Policia e Shtetit do të vijojnë kontrollet periodike masive në të gjithë territorin, duke përdorur dronë e helikopterë, si dhe duke forcuar bashkëpunimin me banorët e zonave, për të marrë informacion në kohë për ata elemente që sipas informacioneve po përgatiten për të kultivuar kanabis. Gjatë këtyre dy muajve kemi goditur disa raste duke sekuestruar mijëra fara dhe bimë kanabis.
Janë krijuar dhe kanë filluar të funksionojnë periodikisht Task Forcat qendrore dhe vendore. Të gjitha institucionet shtetërore, administratorët e njësive vendore, bizneset private, zjarrfikësit, Policia Bashkiake apo Shërbimi Privat i Sigurisë Fizike kanë marë përgjegjësinë e tyre.
Unë nuk jam këtu as për shantazh, as për të kërcënuar e presionuar askënd, jam këtu si njëri prej jush, me shqetësimin dhe përgjegjësinë e detyrës dhe të sfidës që kam marrë në emër të Policisë së Shtetit dhe në këtë kuadër kërkoj nga të gjithë ju angazhim e bashkëpunim që bashkërisht ta minimizojmë deri në zhdukje këtë fenomen, që sjell veç krim dhe asnjë të mirë për shoqërinë.
Vlora dhe disa qarqe të vendit janë zona me risk të lartë dhe të mesëm në drejtim të kultivimit të kanabisit dhe për këtë duhet me patjetër që secili prej nesh të bëjë sa më mirë detyrën.
SPZ-të e zonave duhet të bashkëpunojnë me OSHEE-në, që të ushtrohet kontroll territori për vjedhjen e energjisë elektrike, me qëllim evidentimin e laboratorëve dhe ambienteve në të cilat tentohet të kultivohen bimë narkotike me llamba.
Të forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë dhe pushtetit vendor dhe të zgjedhurve në fshatra, të përfshihen në këtë bashkëpunim banorët e nxënësit e shkollave, për të vijuar akoma sa jemi në kohë, fushatën sensibilizuese, me qëllim ndërgjegjësimin e banorëve, që të heqin përfundimisht dorë nga kjo tentativë kriminale dhe të merren me veprimtari të ndershme e ligjore dhe të denoncojnë rastet, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Duke u nisur edhe nga rezultatet e kontrollit të territorit, forca goditese e Policisë ndaj kësaj veprimtarie kriminale, nga bashkëpunimi gjithnjë e në rritje mes qytetarëve dhe Policisë, nga impenjimi dhe marrja e përgjegjësive nga secili faktor dhe aktor, si dhe nga vendosmëria e prefektit të Qarkut Vlorë, por edhe e homologëve të tij në të gjitha qarqet e vendit, unë besoj fort se këtë vit do kemi rezultate që të ndikojnë drejtpërdrejt qoftë në ulje të kriminalitetit, ashtu edhe në drejtim të ndryshimit të perceptimit që kanë partnerët tanë për këtë fenomen kriminal.
Së fundi, dëshiroj të falënderoj prefektin, për angazhimin dhe vendosmërinë, si dhe të gjithë aktorët e përfshirë në këtë luftë, dhe të garantoj qytetarët se Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti. Në këtë kuadër përfitoj nga rasti t’i ftoj ata që ta besojnë dhe ta përkrahin akoma më shumë Policinë e Shtetit.
Nga të gjitha institucionet e administratës publike dhe ato private, Policia e Shtetit e ka paguar më shtrenjtë nga të gjithë luftën kundër kanabisit. Siç jeni në dijeni, vjet humbëm një oficer policie, i cili bashkë me kolegët e tij, sapo kishte shkatërruar një parcelë kanabisi dhe gjatë kthimit në ambientet e Drejtorisë së Policisë, u përball me një kriminel, i cili nuk ngurroi të qëllonte kundër punonjësit të Policisë. Kështu që, ne vërtet jemi institucioni që kemi përgjegjësinë më të madhe si Policia e Shtetit, por në këtë rast, dua t’i bëj dhe një thirrrje të gjithë punonjësve të Policisë, së pari, ata që janë pjesë e Policisë së Shtetit dhe kanë për detyrë të merren me këtë punë, që jemi në ata që do ta vuajmë pikë së pari, kultivimin dhe pasurimin e grupeve kriminale apo individëve të caktuar nga kjo veprimtari e paligjshme. Mos lejoni që grupe kriminale apo individë të caktuar të pasurohen dhe t’i bëjnë karshillëk Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore apo të drejtësisë.
E dyta, ashtu siç e përmenda dhe në fjalën time, do të kërkoja dhe një herë nga ana juaj, të gjithë përfaqësuesve të institucioneve që ju drejtoni, një angazhim akoma më të madh dhe këtu gjej rastin që të bëj thirrje për të gjitha institucionet e administratës shtetërore në të gjithë vendin tonë, që të kenë një reagim, një përgjegjshmëri akoma më të madhe ndaj kësaj lufte kundër kanabisit. Vërtet disa individë pasurohen, por mos harroni që rrezik për përdorimin e kanabisit mund të jenë fëmijët tuaj, fëmijët tanë, fëmijët e mi. Më këtë koncept duhet të zgjohet gjithësecili nga ne në mëngjes, kur del nga shtëpia për në punë. Nuk duhet të ketë më kanabis, nuk duhet të ketë më kultivim kanabisi, si në vende të hapura, ashtu edhe në vende të mbyllura.
Gjej rastin edhe një herë t’i bëj thirrje të gjithë atyre personave të cilët tundohen për t’u pasuruar në rrugë sa më të shkurtër, të mos e zgjedhin këtë rrugë, se nuk do të kenë sukses, por të zgjedhin rrugën e ndershme, pavaresisht se mund të jetë pak më e gjatë, por keshtu do të jenë më të qetë me veten, me familjen, me shoqërinë dhe me çdokënd me të cilët ata punojnë. Më mirë kështu, se sa të përballen me forcën e ligjit dhe të shkojë në burg.
Policia e Shtetit është e prerë, mesazhet janë dhënë disa herë. Unë vendosa të vij në Vlorë, si një nga qarqet me risk, për të diskutuar këtu me ju dhe për t’jua transmetuar mësazhin tim drejtpërdrejt. Në përfundim, kam shumë besim që bashke në mund t’ia dalim. Ashtu siç u përmdend dhe në fjalët e zotit prefekt dhe te kryetarit të bashkisë Selenicë, në qoftë se gjithësecili nga ne do të bëjë punën që i takon, me ndershmëri, korrektësi dhe paanshmëri, atëherë patjetër që gjithë kjo forcë e kësaj administrate kaq të madhe shtetërore, me në ballë Policisë e Shtetit, nuk mund të përballet askush, sado i fuqishëm mund të vëtëdeklarohet. Këto janë mite që i krijojnë vetë ata. Përpara policisë së Shtetit dhe administratës shtetërore nuk ka grupe të forta, nuk ka të fortë.
Duke ju uruar shumë shëndet për vitin 2022, duke ju uruar shumë suksese në punën tuaj, unë do ta mbyll këtu fjalën time, me besimin e plotë që ne të gjithë do t’ia dalim për të pasur rezultate shumë herë më të mira nga vitet e kaluara. Faleminderit!