Ish-presidenti Bujar Nishani i cili aktualisht është kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike deklaroi në “Bardh a Zi” në ABC se nuk do të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike.
Ai u shpreh se Basha e ka mbaruar ciklin e liderit dhe nuk mund të bëhet më një i tillë, ndërsa shtoi se tashmë vendi rrezikon të mbetet me një opozitë formale që nuk do të bëhet dot alternativë qeverisëse. Ndalur tek raporti me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe lidhja me qëndrimet e tij, Nishani u shpreh se nuk ka pasur asnjë kontakt me të as para dhe as pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Basha e ka mbaruar ciklin e liderit. Nuk bëhet më lider i Partisë Demokratike. Është logjikë më shumë se filozofi. Është edhe histori. Lider lind nuk bëhesh. Qëllimi kryesor është se çfarë do bëhet me opozitën. Shqipëria është para rrezikut që të ketë një opozitë formale. Një rrezik më i madh se ai që kishim para 25 prillit. Nuk do të jetë alternativë qeverisëse. Deri para 25 prillit kishte një aksion dhe një besim.
Unë gjithçka që kam shprehur këto ditë edhe sot janë mendimet e mia dhe të asnjë njeriu tjetër. Sa i takon Berishës nuk kam pasur asnjë kontakt me të as para dhe as pas 25 prillit. Berisha ka qenë shumë i qartë. Ai ka vënë një standard që humbi zgjedhjet dhe iku. Kur e kanë pyetur ka thënë se unë e kam vendosur standardin.
Sot ka një tension të jashtëzakonshëm në PD. Kush nuk e njeh këtë situatës është jashtë realitetit., Njerëzit janë të zhgënjyer dhe duan të shikojnë një dritë që tregon rrugën ku duhet të ecim. Hapi i parë është largimi i Lulzim Bashës.
Në 2017 u tha e njëjta gjë që po thuhet tani. Pas katër vitesh do themi të njëjta gjëra? Kush do e zëvendësojë Bashën është problem dytësor dhe tretësor. Unë vetë nuk do kandidoj. Të bien rehat ata që kanë frikë. Problemi është që kryetari të mos jetë si zoti Basha. Kam pirë kafe me zotin Basha. Modeli politik i zotit Basha të krijojë një hapësirë ndryshe”, deklaroi Nishani.