Kreu i VV, i cili është kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka folur lidhur me objektivat që ka për marrëdhëniet me Shqipërinë nëse zgjidhet në detyrë.
I ftuar në “RTK”, Kurti tha se nuk ka marrëdhënie të këqija me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, duke listuar edhe pikat që dy vendet duhet të punojnë.
Ndër të tjera, Kurti komentoi edhe garimin në zgjedhjet e 25 prillit të kandidatëve që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri.
PJESË NGA BISEDA:
Pyetje: A do ketë bashkim me Shqipërinë? Ramën doni apo nuk doni do ta keni edhe 1-2 muaj në qeveri, a e pengojnë këto raportin mes dy vendve?
Kurti: Nga pikëpamja jonë jo. Bashkëpunimi duhet të jetë përtej partive që shkojnë e vijnë. Vendet e BE janë shumë më të integruara se Kosova me Shqipërinë.
Mund të bëjmë shumë më tepër si psh politika e jashtme. Nuk e kemi komoditetin që të kemi diferenca në politikën e jashtme. E dyta politika e sigurisë dhe mbrojtjes dhe e treta ajo e burimeve.
Duhet t’i zgjidhim këto probleme. Tek mbledhjet mes dy qeverive unë do të insistoj që t’i adresojmë këto problematika. Kemi diku tek 77 marrëveshje.
Me Ramën s’kam pasur marrëdhënie të këqija nga pikëpamja ime, por jo të mira si dikur për shkak të idesë së shkëmbimit territorial, që u kthye në projekt.
Pyetje: LVV është regjistruar në zgjedhje në Shqipëri, a mund të krijojë pakënaqësi me kryeministrin e Shqipërisë?
Kurti: Për besë unë nuk mundem të analizoj imagjinatat nga më të pakontrolluara. LVV e Shqipërisë e ka autonominën e vetë. Unë besoj se i kontribuojnë demokracisë. Janë kandidatë të pavarur, është prurje demokratike.