A ishte ‘Shota e Haklajve’ atentatorja e Rasim Lumneshit? Deklarata e Zylfie Haklaj…

Në Tropojë, qarkullonin fjalë për një zotim që vajza e dytë e familjes, Zylfija, kishte bërë mbi trupin e pajetë të vëllait të vogël Yllit. Ajo, zbulon për herë të parë mesazhin që u dha policëve pas ngjarjes.

“Kur kam ardhur në qytetin e Bajram Currit, e gjithë vendi ishte me policë. Ata ndaluan makinën edhe kam dalë nga makina, u kam thënë, Meta ishte Kryeministër dhe Gjoni ishte Ministër i Brendshëm, i kam thënë thuaj Metës e Gjonit që duhet ta gjejnë personin që vrau Yllin, aty mendojnë ata që ndoshta kam bërë betim”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Në 2 prill të vitit 2002, do të rishfaqej në vendlindje Rasim Lumneshi, një biznesmen i njohur i zhvendosur në Fier, ku kishte ngritur hotel “Shkëlzenin”. Lumneshi njihej si sponsor i Partisë Demokratike.

Flitej se ai e kishte shpëtuar Berishën nga një atentat me granatë në një miting në Fier. Ai, kishte qenë mik i vëllezërve Haklaj por më pas, ishte bashkuar me kundërshtarët. Dyshimet ishin se ai kishte bashkëpunuar me ta në disa atentate.

Thuhet se Lumneshi ishte lajmëruar që të mos vinte në Tropojë, për shkak se Haklajt po e kërkonin për të ekzekutuar.

Atë ditë pranvere, ai ndodhej në një kafene, shumë pranë monumentit të Bajram Currit, vetëm 50 metra larg komisariatit në vijë ajrore. Në tavolinë ishin edhe kreu i gjykatës së Tropojës Hysni Biberi, Ilir Gosturani dhe Kujtim Dusha.

Sipas dëshmitarëve, drejt tyre afrohet një grua me trup të gjatë, e cila nxjerr nga palltoja një kallashnikov dhe hap zjarr. Lumneshi dhe Gosturani mbeten të vdekur në vend, kurse Biberi dhe Dusha u plagosën.

Për ngjarjen u akuzua Zylfije Haklaj, e cila u pyet nga Top Story, nëse ajo ishte autorja e këtij krimi të rëndë.

“Një ditë që të ketë drejtësi të pavarur në Shqipëri do ja them Berishës e të gjithë që do jenë aty do e dëgjojnë të vërtetën”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Pas ngjarjes, ajo u cilësua në media si Shota e Haklajve. Ndaj saj rëndon një dënim prej 25 vitesh, për ekzekutimin e Lumneshit, vrasje të cilën Zylfia e mohon.

“Një epitet që ata ma kanë vënë mua, ai është një ekzagjerim, do doja shumë të ngjaja me Shote Galicën po të ishte nevoja për interesat e atdheut”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Loading...