Nga Prof. Dr. Mimoza Kore
Në shekullin e kaluar, pyetjes se cilët kanë qenë stërgjyshërit e shqiptarëve, pati studiues që iu përgjigjën me tezën e paprovuar shkencërisht, se shqiptarët ishin stërnipër të pellazgëve dhe shqipja bijë e pellazgjishtes-ilirishtes. Sot kjo tezë është zbehur, madje nuk përmendet në qarqet shkencore, por është gjallëruar midis “studiuesve patriotë”, të cilët herë e identifikojnë atë me indoeuropianishten, duke shkuar pastaj drejtpërdrejt te shqipja e herë duke u nisur nga pellazgjishtja te ilirishtja e në etapë të fundit, te shqipja.
Me emrin pellazg bota u njoh nëpërmjet grekëve. Pellazgët, në burimet greke e romake, përmenden si një shtresë etnike paragreke, por jo ekzistuese në periudhën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. Ata i venduan në zonën e Detit Egje, kryesisht në Thesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël në Kretë e në ishujt e tjerë të Egjeut. Në shkrimet e autorëve antikë paraqiten si popull gati në kufi të legjendës, i mbuluar me një tis mistik. Nga shtrija që paraqitëm më sipër, pellazgët dhe gjuha e tyre duhet të përbëjnë një problem për helenistikën dhe jo aq për albanologjinë.
Po, me sa duket, duke qenë se përveç greqishtes e makedonishtes (e cila më vonë u sllavizua), edhe shqipja përfaqëson të folurit e fiseve indoeuropiane të Ballkanit antik, e cila paraqitet si vijë e pandërprerë e zhvillimit të njërës nga gjuhët e lashta të familjes indoeuropiane, ajo tërhoqi vëmendjen e studiuesve. Pellazgët në Albanologji, kur ajo po shkëputej nga tezat romantike, përmenden në veprën e G.von Hahn-it (Studime shqiptare 1854). Po si e shtroi Hahni këtë çështje që mjaft ithtarë të tezës pellazgjike, në emër të mbrojtjes së lashtësisë së popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe e citojnë dhe e mbajnë si tezën mbështetëse më autoritare sot? Teza e G.von Hahnit konsiston në këto pika kryesore:
– Epirotët dhe Maqedonët edhe në kohën e Strabonit ishin barbarë ose jogrekë;
– Epirotët, Maqedonët dhe Ilirët janë farefis ndërmjet tyre, dmth. të afërt nga pikëpamja etnike; – Ka shumë shenja që Epirotët dhe Maqedonët përbënin thelbin e fisit tireno-pellazgjik;
– Ilirishtja (d.m.th gjuha nga e ka prejardhjen shqipja) është gjuhë pellazgjike në kuptimin më të gjerë të fjalës.
Pellazgët për Hahnin ishin një popullsi paleoballkanike (popullsi e Ballkanit të Lashtë), që qëndronte më vete, të ndryshëm nga grekët e vjetër. Me këto teza Hahn-i i sheh shqiptarët jo vetëm si pasardhës të Ilirëve, po edhe të Epirotëve e të Makedonëve dhe të gjithë këta popuj i mban si të ardhur nga Pellazgët. Sipas vlerësimit të E. Çabejt, disa nga tezat e Hahn-it (1, 2) në përgjithësi qëndrojnë dhe janë mbështetur nga dija e mëvonshme. Por teza se Epirotët dhe Maqedonët përbënin thelbin e fisit tireno-pellazgjik në një kuptim më të gjerë nuk ka gjetur mbështetje nga shkenca gjuhësore serioze.[1]
Gjuhëtari rumun I. Russu, i cili si shumë të tjerë etnogjenezën e rumunëve e sheh të lidhur me atë të shqiptarëve, është më i ashpër në kritikën ndaj Hahnit;
“…elementi më konfuz, bizar deri në absurd janë të ashtuquajturit ‘pellazgë’, me të cilët amatorë të historisë dhe të arkeologjisë, diletantë dredhanë, kanë ‘vepruar’ dhe vazhdojnë në të gjitha zonat dhe fazat e pre- dhe të protohistorisë europiane dhe mesdhetare”.[2]
Përsëri nga bota shkencore erdhi një tjetër përcaktim për shqipen. Kjo ndodhi në veprën e August Schleicher-it (1861-62) nxënësit të F. Bopp-it, i cili njihet në gjuhësi si themelues i teorisë së Drurit Gjenealogjik (Stammbaumtheorie) në të cilin autori paraqet me anë të një skeme në formë të një peme gjuhët e familjes indoeuropiane. Trungu i pemës paraqet gjuhën bazë, ndërsa degët e saj paraqesin grupet dhe gjuhët e veçanta të familjes gjuhësore indoeuropiane që janë shkëputur shkallë-shkallë nga gjuha bazë (trungu). Pa hyrë në detajet e kritikës ndaj kësaj skeme, që u mbështet në ligjet e shkencave të natyrës, autori, shqipen e kishte vendosur në të si një degë më vete midis latinishtes dhe greqishtes, midis atij që e quajti çiftit pellazgjik çka do të thoshte se në bazë të të dy gjuhëve ka një trashëgimi gjuhësore të stërlashtë. Pelasgisch për Schleicher-in do të thoshte arkaik. Është e provuar që greqishtja e latinishtja nuk kanë lidhje të afërta midis tyre e po kështu dhe shqipja me to.
Këto teori u përqafuan nga përfaqësuesit e Rilindjes sonë Kombëtare të cilët donin të rrisnin në popull ndjenjën kombëtare, krenarinë për rrënjët e hershme. Ishte koha kur në vendet ballkanike po krijoheshin shtetet që ishin rezultat i proceseve identifikuese kombëtare, i veçimit sa te ishte e mundur nga të tjerët. Ithtarë të kësaj teze u bënë veçanërisht arbëreshët, si: N. Keta, E. Mashi, Gj. Krispi, J. de Rada, V. Dorsa. E vendosur në kontekstin e asaj kohe teoria pellazgjike pati impakt pozitiv, por me përparimet shkencore shpejt u zbeh.
Shqipja me tiparet e saj dhe trashëgiminë u përcaktua si gjuhë indoeuropiane. Dy historianë, si Gustave Glotz e Robert Cohen[3] na sigurojnë në vëllimin e parë të veprës së tyre se “Pellazgët s’kanë qenë popullsi indoeuropiane”. Teoria e tyre u mbështet dhe nga të tjerë. Edhe në se ka ekzistuar, një mundësi e rrjedhjes prej saj mendohet për baskishten apo etruskishten, e cila ndryshonte shumë nga gjuhët e gadishullit Apenin (latinishtja, venetishtja e oskoumbrishtja). Shqipja jo vetëm bën pjesë në familjen indoeropiane, por duhet theksuar se ajo për shkak të tipareve në sistemin zanor, shkon me gjuhët e Veriut të kësaj familjeje, çka e shkëput një herë e mirë nga i quajturi çifti pellazgjik, në të cilin të dy gjuhët si greqishtja dhe latinishtja hyjnë në grupin e gjuhëve jugore.
Gjuhësia krahasuese me rregullat e saj fonetike ka provuar se fjalën natë shqipja e trashëgon nga PIE. Një *ŏ e shkurtër dha a në gjuhët veriore dhe u shkri me refleksin e *a të shkurtër, shembuj: PIE. * nekʷ-(t-), nokʷ-t-s natë, lat. nox, noctis, irl. vj. i-nnocht, sll. e vj. нoшть, lit. nak-tìs, gjerm. Nahts, ind. e vj. Nak. Ky reflektim gjendet edhe në disa fjalë të tjera të trashëguara. Kështu shqipja shkon me gjuhët baltosllave e gjermanike të Veriut të Europës. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të shqiptarëve me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze e vërtetësi shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.
Në se do të na duhet të pohojmë prejardhjen e shqipes e të shqiptarëve duke bashkëlidhur me to dhe çështjen themelore, autoktoninë, do të ishte e mjaftueshme identifikimi me një nga popullsitë e Antikitetit e nuk është ndërmarrje e lehtë e as e nevojshme të shtyhemi drejt mugëtirës më të thellë që s’na ofron fakte shkencore. Historianët, arkeologët, gjuhëtarët dhe etnografët shqiptarë kanë shfuqizuar përfundimisht tezën intuitive e romantike të etnogjenezës shqiptaro-pellazge që sundonte deri në çerekun e tretë të shek. XIX dhe përforcuan pikëpamjen e gjuhëtarit të shquar Gustav Meyer, i cili pohonte që në fund të shek. XIX se gjuha shqipe ishte vazhdim i një prej dialekteve të ilirishtes së vjetër.
Kjo u bë dalëngadalë, sepse kishte zënë vend të qëndrueshëm madje shkenca historike gjuhësore iu kundërvu tezës pellazgjike, duke përballuar edhe kritika nga rrethe zyrtare të periudhës komuniste që e kishin për zemër këtë tezë.[4] Ithtarët e tezës pellazgjike, e kemi fjalën për ata të cilët pa drojë, pa mbështetje i japin flatra fantazisë së shfrenuar, duke u përpjekur me argumente qesharake të imponohen duke e vendosur shqipen në bazën e familjes së gjuhëve indoeuropiane, madje ta njëjtësojnë me gjuhën parake të kësaj familjeje, bëjnë një dëm të jashtëzakonshëm, sepse shpien ujë në teza antikombëtare.
Teza e prejardhjes pellazgjike, me të drejtë vëren S. Mansaku[5], e lidhur me origjinën e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve, më shumë se kujtdo tjetër i ka shërbyer politikës asimiluese greke ndaj arvanitasve të Greqisë në radhë të parë, por edhe më gjerë. Propagandimi i idesë se shqiptarët dhe grekët kanë të njëjtën origjinë dhe të njëjtin besim ka bërë që arvanitasit të mos e ndjejnë të nevojshme të bëjnë përpjekje për të ruajtur identitetin e tyre etnik e gjuhësor.
Albanologjia ka pranuar si tezën më të mbështetur atë që gjuhësisht shqipja vjen prej ilirishtes, por në të gjendet dhe një komponente trake. Ajo është e hapur për rezultate të prurjeve të rejave shkencore në këtë drejtim, por gjithmonë larg teorive romantike e të pabazuara.
[1] Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë, 1976.
[2] I. Russu 1995 ”unde elementul cel mai confuz, bizar pînă la absurd sînt aşa-numiţi ‘Pelasgi’, cu care amatorii de istorie şi arheologie, diletanţi impostori au ‘operat’ şi continuă în toate zonele şi fazele pre-şi protoistoriei europene şi mediteranene” në: Obârşia tracică a românilor şi albanezilor. Clarificări comparativ-istorice şi etnologice, Vluj-Napoca, ed. Dacia, 1995:24.
[3] Gustave Glotz -Robert Cohen Des Origines Aux Guerres Mediques (Histoire Ancienne, Histoire Grecque, Tome Premier ). Published by Presses Universitaires De France, I HGR 1948, 634 Pp., 1948
[4] S. Mansaku, ”Objektivitet shkencor dhe qëndrim kombëtar në veprën e Eqrem Çabejt” në Studime albanologjike, Universiteti i Tiranës – Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë, 2008, 30-36.
[5] S. Mansaku, po aty.