Nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku ka bërë me dije se deri më tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të konfirmuar të lisë së majmunit dhe as të hepatitit. Teksa në shumë vende të botës qytetarët janë të alarmuar nga përhapja e dy sëmundjeve, Dritan Ulqinaku, i ftuar në studion e Klan Neës, dha një përgjigje zyrtare lidhur me çfarë po ndodh deri më tani në vendin tonë.
“Zyrtarisht jo, nuk kemi identifikuar akoma asnjë rast të dyshuar me sëmundjen e njohur si lija e majmunëve. Nëse ka ndonjë formë të fshehur që në ditët në vazhdim do nxjerrë kokën, do jemi në kontakt,”-u shpreh ai në fjalën e tij.
Por ndryshe është situata me hepatitin akut, për të cilin autoritetet thonë se ka disa raste të dyshuara edhe në vendin tonë.
“Kemi pasur raste të dyshimta, ndoshta edhe çdo javë me hepatit akut. Shpresojmë që mos të ketë ardhur tek ne,”-shtoi ai.
Lija e majmunit dhe hepatiti akut janë dy sëmundje që kanë ngjallur frikë dhe alarm tek autoritetet shëndetësore në mbarë botën. Ndërsa Ulqinaku tha në fund se strukturat në Shqipëri janë në gatishmëri dhe po hetojnë çdo rast, por deri më tani asnjë dyshim nuk është konfirmuar. Po ashtu, shtoi se mjekët po trajnohen për të identifikuar dhe më pas, për të kuruar rastet.