Në një lokal në mes të qytetit të Sarandës, ku grumbullohen dhjetra qytetarë, ku serviret kafe dhe pije të ngrohta, të gjithë sy e vesh ndiqnin TV.
Në një moment mbante fjalim Monika Kryemadhi. Për gjithçka që kumtoi askush nuk bëri ndonjë koment të veçantë. Po pas një fjale u kapën pothuaj të gjithë.
Sa përmendi betejën me tritol dhe se do jemi në stinën kur do bëhen largime masive nga puna të simpatizantëve të LSI-së e të tjerëve që i llogarit si kontigjent të bindur të opozitës, filloI zvarritja e karrigeve.
Po ajo që ngacmoi më shumë është parashikimi se dikujt nga njerëzve të LSI-së dhe opozitës, sipas fallit që ajo e ka tanimë thuajse të përhershëm do ‘i vendoset tritol për t’i hedhur në erë me familje, me fëmijë, me shtëpi.
Klientët e moshave të ndryshme shikonin njëri-tjetrin syshqyer dhe pyesnin: Ç`thotë Zonja e Parë? Përse flet pas dorëzimit të mandateve për tritol? Çfarë tha se nuk e dëgjova mirë, pyeti një tjetër që kishte vendosur duart si hinkë në vesh? Një tjetër, babai i një simpatizanti të partisë së saj, burrë zotëri vuri duart në kokë dhe u ngrit. Ika unë, u tha miqve. E dëgjuat? Ku i dihet. Ç’nuk bën vaki.
Po të tjerët e ftuan të ulej se janë fjalë të politikës se kështu ua do puna. Po të gjithë pyesim veten: Cilët do e vendosin tritolin, kundër kujt, se ne këtu jemi të gjithë kushërinj? A, a, ne nuk vrasim e nuk vritemi për politikë,- ia priti njëri nga fundi i lokalit. Mbylle atë dreq TV, se na ngjethi mishtë me çfarë dëgjojmë… Dhe polemikat vijuan edhe ca minuta dhe secili iu kthye filxhanit të kafesë, duke i kthyer shpinën ekranit nga ku dëgjohen fjalë të shkëputura: Morali ynë, ne jemi të moralshëm, ne jemi e ardhmja, e vërteta, e drejta, do vazhdojmë protestat, jemi të lirë, nuk kemi ngjyra partie, u djegtë në ferrë ai, ne, PD, LSI, PDIU, PDK, AP… Në pamje të parë kjo puna e tritolit ngjan me ato broçkullat që i lëshon politika para turmave dhe forumeve partiake.
Është një mënyrë të foluri, duke i veshur fjalët, jo me logjikë, jo me fakte, po për t’u bërë interesante i mbështjellin me barut, me tritol, me plumba, me vepra të rënda që i presin shqiptarët që do iu ndodhin nga njerëzit e nxitur nga mazhorancë sipas kryetares së LSI-së. Kryemadhi gjatë tërë kësaj periudhe post zgjedhore të 2017-ës sapo provoi të qëndrojë në opozitë e nisi me sherrnajë, me parashikime ogurzeza, me aksione individuale që kanë qenë ngjarje të pandodhura më parë në historinë e parlamentarizmit shqiptar.
Kushdo e kujton sa e rreptë është treguar në seancat parlamentare, jo me fjalën se me të le të bëjë beteja të gojëtarisë sa të dojë dhe është brenda të drejtës së vet si deputete, po deri edhe me përdorimin e “armëve” origjinale, si: vezë, miell, tymuese, kapsolla, bojë, deri çizmet pa lënë mënjanë mjetet piroteknike, të përdorura nga militantët e stërvitur në “garnizonin” e Jalës, ku “ushtarët” e rinj kanë marrë mesazhin dhe janë stërvitur për t’u ndeshur edhe trup më trup. Se deri ku kanë shkuar këto instruksione, kjo duhet matur me ato që kanë ngjarë këtë kohë dhe që kulmuan në 16 shkurt në betejën epike me muret e Kryeministrisë dhe skulpturës së “kërpudhës” në sheshin përbri saj.
Në historikun e tri dekadave nuk ka një rast të vetëm që një individ simpatizant apo socialist me teser të jetë vënë në shërbim të dikujt, të atyre që janë në krye për interesa të politikës. Le të thotë një rast zonja Monika që një individ i kësaj mazhorance të jetë i inspiruar dhe të ketë kryer një vepër të tillë kundër cilitdo. Në historinë e luftës politike të mazhorancës së sotme mund të bëhen shumë qortime, kritika, vërejtje, të evidentohen shumë faje e gabim, po askush nuk gjen një rast të vetëm për ta treguar me gisht për dhunë e akte që bien ndesh me moralin e shoqërisë tonë.
Po pse sot Kryemadhi i mëshon idesë dhe deklaron pa pasur asnjë fakt, asnjë provë, asnjë shenjë, që dikush nga pushteti apo të nxiturit nga qeveria do kthehen në zjarrvënës dhe tritolndezës? Në realitet këto veprime nuk janë punë e tyre. Nuk i kanë për zanat. Të tjerë, ata që janë në krah dhe bashkë me Kryemadhin kanë kryer akte të tilla nga përdorimi i pushkëve deri tek antitanket dhe autoblindat dhe tritol, të cilat na kanë shoqëruar tërë këto vite dhe që në momente të veçanta kanë marrë përpjesëtime shqetësuese. Në kujtesën e freskët të shqiptarëve janë fiksuar hedhja e shtyllave të tensionit të lartë në erë me tritol.
Bombardimet me avion ushtarak në 1997. Plumb ballit në mes të bulevardit. Gjakosje në Sheshin “Skënderbej”, rrahje dhe hedhje në humnerë në shumë përballje elektorale. Vjedhje në mas të votave. Shkatërrim i HEC-eve, Digave, etj. Vepër e kujt ka qenë kjo? A duhet të shfletojë kronikat e kohës zonja Monika për të lexuar historinë e tritolvënies? Kujt i ka interesuar destabilizimi përmes akteve terroriste, pritave, zjarreve, shkatërrimeve? Kur flet Monika Kryemadhi dhe bën parashikime ç’do ndodhi në ditët që vijnë përmes paralajmërimeve për kujdes se i pret tritoli dhe hedhja në erë e banesave të qytetarëve për politikë, nuk duhet të tremben fare militantët e LSI-së, hiç merak të mos kenë sepse askush nuk mund të ngrejë dorë ndaj tyre, pasi ata janë pjesë e popullit, janë njerëzit dhe miqtë tanë thotë intelektuali A. H., një demokrat i vjetër në Sarandë që ka marrë pjesë në të gjithë fushatat elektorale që nga 1990-ta.
Po pse flet me kaq siguri Monika për tritolvënie dhe si ta kuptojnë qytetarët shqiptarë këtë deklaratë? A po përgatit ajo dhe bashkëkryetari i frontit opozitar Basha betejën me tritol si një hakmarrje dhe mekanizëm që do i sigurojë qëllimin që i kanë vënë vetes për ta bërë shkrumb Shqipërinë? A mos vallë “ushtarë” të përgatitur presin sinjalin që të zbatojnë këtë strategji ogurzezë për t’i vënë flakën tërë vendit? Ndryshe përse duhet të jetë kaq e sigurt se do ketë atentate me tritol, nga ata që sot qeverisin?!
Besojmë se policia dhe organet e ruajtjes së rendit duhet të jenë syçelë për të ruajtur jetën e qytetarëve dhe qetësinë e shqiptarëve. Tani më shumë se kurrë. Të sigurohen bizneset. Veprat strategjike. Pasuria e popullit. Të ruhet qetësia se nga udhëheqësit e “Komiteteve të Shpëtimit”, që Basha i emërtoi “Shtabe të protestave”, çfarë nuk mund të presësh. Është detyra e tyre që të gjurmojnë dhe të zbulojnë çdo akt të tillë terrorist që shoqërohet me frikë, terror psikologjik, largim të turistëve e investitorëve të huaj e vendas deri dhe humbje jetësh njerëzore.
Në një shoqëri demokratike asgjë nuk është më me vlerë se jeta e njeriut ndaj kërkohet vigjilencë. Duhet kujdes nga politikanët, që hedhin gurin e fshehin dorën. Po siguria me të cilën deklaron për akte të tilla zonja Kryemadhi e ka burimin gjetkë. Mesa duket, tani që ndihet e lirë dhe është shkrirë njësh me popullin opozitar, individë të caktuar përgatiten për akte të tilla në vijim të ndezjes së konflikteve dhe destabilizimin e jetës në vend. Mos dikush që kërkon të ndezë zjarr tërë vendin nuk e zë gjumi që koha që kemi përpara për t’i dhënë përmasa të frikshme dhe të provohen deklaratat e liderëve të opozitës Bashës dhe Berishës e tërë të tjerëve do eksperimentohen veprime si ato të 21 janarit të 2011-ës, ku pasi u vranë nga Garda 4 të pafajshëm, u akuzuan organizatorët e protestës se vrasjet i bënë ata. Përvoja Gebelsiane nuk mungon në tërë këto vite.
E di edhe zonja Monika. Për t’i dhënë një dimension konfliktual periudhës që kemi përpara, për të acaruar situatën dhe për të provuar se sa të dhunshëm janë këta të pushtetit të sotëm, çfarë nuk pjell mendja djallëzore e atyre që kërkojnë t’i ndezin gjakrat, t’i vënë flakën me urën zjarrit që mbajnë në dorë tërë Shqipërisë. Se në realitet opozita ka dalë nga shinat dhe kërkon të nxjerrë në breg tërë shoqërinë, të përligjë atë që deklaroi Berisha, që jemi në prag të luftës civile, që aq shumë e ka përmendur dhe që në ’97 edhe e ka aplikuar, dhe pse populli ynë e urren luftën.
Pikërisht siguria për tritolvënie është një provokim i hapur dhe një thirrje për të nxitur dhunën mes shqiptarëve për destabilizimin e rendit kushtetues, frenimin e reformave, shkatërrimin e biznesit, djegien e shpresave për negociatat me BE për të cilat deri sot akuzohej qeveria si pengesë, po që nga momenti i dorëzimit të mandateve të deputetëve e gjithë bota e cilësoi se është veprimi i opozitës, ai që minon integrimin. Pikërisht për t’i dhënë një bazë qëndrimeve ekstreme, për të rritur urrejtjen mes shqiptarëve në emër të demokracisë dhe lirisë dhe për të “mirën” e Shqipërisë, të tjerë mund të jenë ata që do bëjnë tritolvënësin. Se në realitet, tritolin i vunë sistemit demokratik me braktisjen e tij.
Se sjellja ekstreme mund të shoqërohet edhe me veprime ekstreme. Të gjithë pamë se sa me egërsi militantë të udhëhequr nga liderët e opozitës rrëmbyet harqet e shigjetat, u shndërruan të gjithë në spartanë dhe goditën fasadat e Kryeministrisë. Kuptohet, “ushtarët e revolucionit”, të instruktuar nga të eturit për pushtet, jo me zgjedhje do t’i nxisin sa të munden aktet vandaliste. Se do e shoqërojnë post dorëzimin e mandateve me vepra që nuk do kufizohen me përdorimin e miellit dhe çizmeve. Ata kërkojnë të dëgjohet zhurma deri në Bruksel e Washington. Të buçasin rrugët dhe të dëgjohet fjala e tyre përmes tritolit. Se cilët do e realizojnë këtë skenar pritet të mësohet në ditët që vijnë. Po një parti jashtë sistemit këtë rrugë do ndjeki.
Paqja dhe qetësia janë të huaja për to. Frikësimi dhe ultimatumet, ndeshjet me kundërshtarët se pa ne do bëhet qameti, se qeveria duhet të bëjë atë që i kërkojnë shantazhistët me betejat donkishoteske me të gjitha armët, zoti na ruajtë nëse do dalin nëpër male se në institucione nuk qasen më, pasi atje janë ata gogolët e kriminelët, oligarkët e hajdutët, atëherë çdo gjë mund të presim. Tritoli do jetë më e pakta. Po nëse Zonja e Parë Kryemadhi paralajmëron për tritolvënie dhe këtë e deklaron me garanci, atëherë ajo diçka di. Patjetër që i njeh ata që do ngarkohen për të kryer akte të tilla. Cilët do jenë ata individë, këtë duhet ta zbulojë policia dhe organet ligjzbatuese të këtij shteti.
Po nuk mund të neglizhohet deklarata e Monikës. Kjo e tritolvënies nuk besoj se thuhet sa për politikë. Qëllimi është shumëdimensional. Të kompaktësohen militantët e LSI, të trembet populli, t’i veshin qeverisë dhe organeve të luftës kundër krimit, vellon e tritolit. Të paraqitet situata sikur në sipërfaqe ka dalë hakmarrja, se mekanizmat e shtetit i janë kundërvënë simpatizantëve dhe militantëve të opozitës, sikur pushteti të jetë shndërruar në një forcë regresive e militare që do eleminojë ata që i kundërvihen apo protestojnë në emër të të drejtave të tyre. Një gjykim i përmbysur ky që në realitet është mënyrë të vepruari i të tjera forcave politike dhe të tjerë liderëve që në këto tri dekada kanë mbajtur në dorë vetëm koburen, kamxhikun, pse jo edhe tritolin. Qytetarët e Shqipërisë i njohin tritolvënësit dhe ata që të vrasin për pushtet. /Nga Bardhyl BEJKO