Ata nuk japin ende një përgjigje të prerë nëse kjo do të thotë se sëmundja mund të transmetohet seksualisht ose jo.
Një ekip në Spitalin Shangqiu testoi 38 pacientë meshkuj të trajtuar atje në kulmin e pandemisë në Kinë, në janar dhe shkurt.
Rreth 16% e tyre doli se kishin shenja të koronavirusit në spermën e tyre, raportoi ekipi në revistën “Jama Network Open”. Rreth ¼ e tyre ishte në fazën e parë të infeksionit ndërsa 9% e tyre ishin duke u shëruar.
“Ne zbuluam se SARS-CoV-2 mund të jetë i pranishëm në spermën e pacientëve me COVID-19, dhe SARS-CoV-2 mund të zbulohet edhe në spermën e pacientëve që shërohen”, tha Diangeng Li, një nga studiesit.
Sipas ekspertëve, virusi mund të qëndrojë aty edhe pasi pacienti është shëruar pasi mund të ndodhë që antitrupat të mos arrijnë deri aty për të sulmuar “pushtuesit”, citon vizionplus.
Kjo gjetje për studiuesit nuk është e habitshme pasi edhe me viruset Ebola dhe Zika ka ndodhur e njëjta gjë: shenjat e tyre u gjetën edhe disa muaj pasi pacienti ishte shëruar.
Por ende nuk është e qartë nëse koronavirusi mund të përhapet seksualisht. Të gjesh prova të virusit nuk do të thotë se është infektiv.
“Nëse mund të vërtetohet se SARS-CoV-2 mund të transmetohet seksualisht në studimet e ardhshme, transmetimi seksual mund të jetë një pjesë kritike e parandalimit të transmetimit”, tha ekipi kinez.