“Abuzuesit e Unazës së Re kërkojnë mbi 30 milionë dollarë për të liruar pronën që nuk është e tyrja dhe për këtë ata kërkojnë që të paguajnë të gjithë taksapaguesit shqiptarë “.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet buxheti 2019, Kryeministri Edi Rama u ndal te protesta e një grupi qytetarësh lidhur me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas Kryeministrit, “një protestë e tillë nuk ka bërë kurrë vaki, qysh se nisi epoka e prishjeve masive për interes publik në Parkun Rinia në Tiranë”.
Duke bërë një pasqyrim të fytyrës sociale të këtij buxheti në mbështetje të rritjes së pagave, uljes së taksave dhe vendosjes për herë të parë të bonusit të bebeve, Kryeministri u ndal te disa prej personave që udhëheqin protestën kundër ndërtimit të Unazës së Madhe, të cilët sipas tij, “janë në paligjshmëri të plotë dhe kërkojnë dëmshpërblim 100%”.
Buxheti i ri, sipas Kryeministrit, parashikon 30 milionë dollarë për rritjen e pagave të mësuesve, mjekëve, ushtarakëve, diplomatëve dhe punonjësve në sistemin penitenciar, ndërkohë që “abuzuesit e Unazës së Re kërkojnë mbi 30 milionë dollarë për të liruar pronën që nuk është e tyrja”.
“Sipas tyre, ne nuk duhet të rrisim pagat, sepse duhet të paguajmë zaptuesit profesionistë si ata, që janë shfaqur si një kategori e re e panjohur, falë kësaj proteste dhe rezultojnë ta kenë kthyer në biznes, ndërtimtarinë pa leje”, tha Rama.
Gjovalini nga Laçi, sipas tij, është në protestë dhe do dëmshpërblim 100% edhe pse ka dy godina të tjera pa leje të vetëdeklaruara që i janë legalizuar të dyja. “Ka një godinë në Kashar që i është legalizuar dhe një në Laç në proces legalizimi”, tha Rama.
Po ashtu, sipas Kryeministrit, ata kërkojnë që të mos rriten me 7% rrogat e mjekëve dhe infermierëve, pasi duhet dëmshpërblyer 100% Ramazani me 2 ndërtime pa leje në njësinë nr. 5, një në njësinë nr. 6 dhe një në njësinë nr. 7 dhe që tani proteston sepse nuk pranon që objekti i pestë pa leje t’i prishet për interes të qytetit, ku ai është bërë zotërues. “Zoti Ramazan me përdhunë jo vetëm që ka zënë shtratin e Unazës, por këndon sloganin që shtëpia mbrohet me jetë”, tha Rama.
Po ashtu, mbi 13 milionë dollarë do të shkojnë për rritjen e pagave në sistemin arsimor, sipas protestuesve duhet të derdhen për të shpërblyer Agronin nga Elbasani.
“Agroni nga Elbasani e nisi ndërtimtarinë pa leje me një shtesë në Elbasan, i doli për mbarë dhe ndërtoi dy godina pa leje në njësinë nr. 7. Po ashtu ka gjetur shesh në Unazën e Re dhe sot është gati të japi edhe jetën sepse nuk ju mjaftojnë 3, 4 apo 5 objekte pa leje”, tha Rama.
Biznesi i ndërtimtarisë pa leje, sipas Ramës, “ka vendosur në krye të protestës edhe Palin, i cili ka dy objekte në Paskuqan, njëri prej tyre i legalizuar, dhe 1 në Kombinat, dhe tani kërkon dëmshpërblim 100% për mundimin e madh që ka bërë duke ndërtuar godinën e 4-t pa leje”.
Rritja e pagave me mesatarisht 7% për policët e sistemit penitenciar, sipas Ramës, “nuk gjen dakordësinë e Edmondit, i cili e nisi ndërtimtarinë pa leje në Pezë, i doli me sukses dhe u hodh dhe ndërtoi në Kombinat edhe 2 godina të tjera. Pastaj vendosi të shtrihet edhe në shtratin e Unazës së Re dhe tani kërkon dëmshpërblim 100%”.
Kryeministri solli edhe rastin e Arbenit, i cili pasi ka ndërtuar 3 objekte te njësia nr. 7, njërin prej të cilëve e ka legalizuar dhe 2 i ka në proces legalizimi, tani kërkon dëmshpërblim 100% për objektin e katërt pa leje.
Po ashtu diplomatët shqiptarë, të cilët janë më të keqpaguarit në rajon dhe në Europë, sipas kësaj kategorie që po marrin pjesë në protestë, nuk duhet t’u rriten rrogat, por duhet të dëmshpërblehet ky biznes, ndërtimtarie pa leje.
“Ne nuk duhet të shpërndajmë tekste falas edhe për nxënësit e klasës së pestë, pasi Kujtimi nga Bulqiza kërcënon se “do marrë armët edhe pse ka 4 objekte në Bulqizë, 3 prej të cilave të legalizuara, ka një objekt tjetër në Kashar që pret legalizimin, por do dëmshpërblim 100% edhe këtë te Unaza e Madhe”, tha Rama.
Po ashtu, 100 qendrat shëndetësore të planifikuara për tu ndërtuar gjatë vitit 2019, sipas Kryeministrit nuk duhet të bëhen realitet pasi kërkon dëmshpërblim Bashkimi, oligarku i këtij sektori ndërtimesh pa leje.
“Bashkimi e ka nisur aktivitetin e biznesit të pushtimit në Kombinat, ku ka bërë 4 ndërtime pa leje, pastaj ka dashur nja dy ndërtime në Dajt, dhe një tjetër në Ali Dem. Tani ai do dëmshpërblim 100 % për godinën e 8 pa leje në Unazën e Re”, tha Rama./Atsh