Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme në disa pjesë të Maqedonisë. Për shkak të tyre, banorët e fshatit malor Cërni Vërv, të komunës së Studeniçanit, janë bllokuar dhe nuk arrijnë të lëvizin dot.
Përmes telefonit ata thanë për Alsat se rrugët prej dy ditësh janë të pakalueshme dhe shpresa e vetme përreth 150 vendasit e ngujuar, mbetet ndihma nga jashtë komunës.
Ndërkohë, 10 policë kufitarë kanë mbetur të bllokuar po për shkak të dëborës në stacionin e Tanushës, në kufi me Kosovën, ushqimi i tyre është drejt fundit, ndërsa lëvizjen e kanë të pamundur për shkak se lartësia e borës varion nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Duket se e gjithë Europa përgatitet për ditë të acarta. Shërbimi Metereologjik i BBC-së paralajmëron për reshje të dendura dëbore pas një fronti arktik që do të pushtojë kontinentin e vjetër.
Ngricat do t’i ndiejnë më fort disa pjesë të Gjermanisë e Austrisë, por dëbora nuk do të kursejë as Greqinë e Turqinë. Temperaturat nën zero dhe dëbora e papritur, befasuan vendas e turistë në Napoli, por situata atje nuk del jashtë parashikimit të ekspertëve që flasin për kontraste të mëdha moti nëpër Europë.
Erëra të forta me drejtim verilindjen, duket kanë në rrugën e tyre edhe Ballkanin dhe në përgjithësi në Europën Lindore, e kjo në një kohë kur Spanja dhe Portugalia do të vazhdojnë të shijojnë një mot të thatë e të bukur.