Avokati Adriatik Lapaj, i ftuar në “Top Story”, ka deklaruar se në shtet prishin pajisjet për t’i çuar pacientët qëllimisht te privati.
Lapaj: Këtu nuk bëhet fjalë se sa dënohen me gjoba përgjithësisht, bëhet për vlerat e dëmshpërblimit nga pas.
Duma: Dëmshpërblimin, paraprirjen e situatës…
Lapaj: Ajo po e po, por po themi për vlerën e dëmit. Paraprirjen, do të ndodhë gjithmon të ketë raste të tilla sepse ka një marzh ajo që ndodh. Ka një marzh dëmi.
Duma: Por e gjithë çështja e sistemit të mirë është të ul marzhin.
Lapaj: ne nuk kemi një sistem që merr masat sepse me mjekim të pakujdeshëm ti e kishe gjobë deri në 5 vite burg, dhe në përgjithësi me gjobë janë dënuar.
Për neglizhencën e ke gjobë deri në 1 vit, kur pacienti vdes e ke gjobë deri në dy vite.
Pra nuk është çështja se sa dënohen penalisht, por familjet nga pas. A e gjejnë ato drejtësinë, në kuptimin që dikush të mbajë përgjegjësi qoftë penale, qoftë edhe të dëmit financiar. Që do të thotë që mungon një ligj që të bëjë sigurimin e përgjegjësisë profesionale, çka tregon se ai mjeku kur te shkojë në punë do të jetë i siguruar dhe ai qytetari kur i ndodh dëmi nuk ka pse rri gjyqeve 14 vjet, por të shkojë si zotëri me gjithë fatkeqësinë që i ka ndodhur dhe të marrë dëmin.
Duma: Pra sistemi nuk e ka sigurimin, pavarësisht se shqiptarët paguajnë 1 herë e dy herë e 20 herë. 72%…
Lapaj: Po mor po, paguajnë edhe ato dëmet që vijnë nga spitali. Por ato dëmet e di sa shkojnë? 500 mijë euro – 600 mijë euro një dëm.
Duma: Por po flasim për 35 milionë lekë të vjetëra në rastin konkret.
Lapaj: Po pra po, por këto rastet me humbje jete shkojnë sepse janë me unifikues domethënë.
Duma: Adriatik, të flasim për rastin konkret. Pacienti ka qëndruar me fasho brenda trupit.
Lapaj: Po të kishte humbur jetën, do të ishte vlera shumë më e madhe.
Duma: Në këtë rast një spital privat nuk paguan dot 35 milionë lekë të vjetëra?! A ka mundësi që publiku shqiptar të pranojë agumentimin e deri më tanishëm që meqënse nuk janë në buxhet dhe do të falimentojë sistemi, ata do t’u thonë familjarëve të viktimës që ai/ajo humbi jetën, por do na prisni për t’u dëmshpërblyer sepse ne s’kemi buxhet. Që do të na prisni s’është njëra gjë, por ju do të na prisni pa asnjëlloj afati…
Lapaj: Ajo që unë po them është se çdo spital, qoftë publik apo privat, po të miratohet ky ligji që po them për sigurinë e përgjegjësisë profesionale, nuk shkon më t’i marrësh lekët as tek spitali i shtetit dhe as tek i privatit ku ndodh dëmi, por shkon në siguracion. Nëse është i siguruar mjeku, në momentin që ai kryen dëmin njerëzor, t’i shkon dhe i merr të ardhurat tek siguracionet ashtu sikurse ndodh në rastin e sigurimit të dëmeve të makinës.
Përveç këtyre, ajo që ndodh sot dhe që është traumatike apo mund ti vini çfardo emri që doni, është se në shtet sot të prishen pajisjet e rëndësishme me qëllim që njerëzit të shkojnë tek privati. Kjo bëhet sepse në privat këto shërbime ofrohen, por me çmime shumë të larta.
Po ju jap një shembull, tromaektomia për personat që pësojnë hemorragji cerebrale ka 3 vite që nuk punon në shtet. A e dini sa kushton në privat? 20 mijë euro.
Kyriterapia, pra një radioterapi që bëhet për sëmundjet kancerogjene, është i prishur sot në shtet. E thotë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, dhe njerëzit – bëhet fjalë për 600 pacient – po rrinë pa e marrë këtë shërbim duke shkuar drejt varrit.
Ortavoltazhi për tumoret e lëkurës, melanomat, është i prishur sot në shtet e thotë edhe KLSH-ja dhe 200 pacient sot në Shqipëri nuk po e marrin këtë shërbim. Ata detyrohen të shkojnë tek private, nëse nuk përballojnë dot kostot, shkojnë tek varri.