Agjencia e Pronave: “Ja ish-pronarët që përfitojnë 1.8 mln euro”

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njoftoi se dje përfundoi procesin e shqyrtimit administrativ të disa aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, të paraqitura nga subjektet e interesuar, të cilët diponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës.

Procesi i shqyrtimit administrativ të këtyre kërkesave/aplikimeve dhe i shpërndarjes së fondit financiar të kompensimit që ato përfitojnë, bazohet në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në Kreun IV të VKM nr.223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar, dhe në VKM nr. 221, datë 23.03.2016 “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronës”.

Aktualisht ka përfunduar shqyrtimi administrativ i nëntë aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, për të cilat ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në ligj.

Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të këtyre 9 (nëntë) aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 217.111.589,88 lekë, baraz me 1.77 milionë euro.

Nga këto, 44.225.138,62 lekë do të lëvrohen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit për të cilën ka aplikuar subjekti.

Nga përfundimi i trajtimit të këtyre aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, Buxhetit të Shtetit i kursehet në total një fond në vlerën 328 milionë lekësh.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.

Loading...