Agron Duka: ““Jam i sigurt që nëse përgjimet do të vijojnë do të dalë edhe emri i Ramës.Nuk mund të veprojë i vetëm Dako”

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i cili në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e listës së PD-së tha se ajo çka ka dalë për shit-blerjen e votave është krejtësisht e vertetë.

Duka ka marrë pjesë disa herë në fushata elektorale dhe e njeh mirë qarkun e Durrësit. Ai tha në emision “Top Talk” se “në përgjime nuk është vetëm ‘alo Niçe’.

Unë kam qenë aktor në zgjedhjet e 2017-s në Durrës. Një nga stekat e këtij grupi ishte të mos kalonte Agron Duka.

Bëheshin llogaritë që të merreshin aq vota sa të mos kalonte Agron Duka”, shprehet ai.

Kujtojmë se Duka ka qenë i 5 në listën e PD-së dhe nuk arriti të marrë mandatin e deputetit.

I pyetur se cilët ishin “armiqtë e tij politik” që kërkonin që Agron Duka të mos kalonte në Kuvend, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, u përgjigj: “Unë jam një njeri që kam vota në zotën time. Edhe kur isha me të majtën, ka pasur edhe një ndikim brenda krahut politik që unë të isha në hije. Besoj se si Rama edhe Dako nuk më kanë dashur. Këta të dy nuk i ndaj”.

Ai më tej vijoi se nëse përgjimet do të vijojnë do të dalin edhe telefonata ku përfshihet Rama.

“Jam i sigurt që nëse përgjimet do të vijojnë do të dalë edhe emri i Ramës. Nuk mund të veprojë i vetëm Dako. Nuk ka mundësi që të kenë pasur lidhje pa bekimin e shefit të madh. E pamundur që Rama të mos dinte gjë. Ai i inkurajoi deri sa kjo punë mori dhenë, e do i dalë era akoma më shumë”, u shpreh Duka.

Loading...