Analisti Agron Gjekmarkaj i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “News 24” u shpreh se kjo qeveri ka mbaruar, kurse shtoi se opozita duhet të investojë më tepër në imazhin e vet, me qëllim që të fitojë besimin e qytetarëve.
“Unë janarin e në vazhdim e shikoj si kohë të opozitës. Kjo sepse maxhoranca ka kaluar në dekadencë. Dekadenca ka lindur sepse ekonomia është në duart e pak njerëzve, ka mbaruar edhe në pikën se njerëzit po ikin. Opozita dhe qytetarët duhet të jenë bashkë në këtë betejë. PD si parti kryesore e opozitës duhet të krijojë partneritet me elitat e vendit dhe të ndërtojë kontrata besimi për të ardhur në pushtet. Opozita duhet të ndryshojë që populli t’i besojë. Ushqej besim të caktuar që të mund të gjendet marrëveshje mes opozitës dhe qytetarëve”, tha Gjekmarkaj.
Agron Gjekmarkaj foli edhe për gjyqin ndaj kreut demokrat Lulzim Basha e zyrtarëve të PD, duke thënë se nuk e beson kurrë që një parti që ka lindur nga demokracia të bëjë lobime, siç akuzon PS. Gjerkmarkaj tha se nuk beson se është pro rus as Rama dhe as Basha.
“Sistemi i drejtësisë në vend është i çoroditur. Kjo akuzë ndaj PD është ngritur në kohën e protestave të mëdha, në kohën kur në opozitë kishte revoltë. Kjo akuzë u ngrit nga maxhoranca. Akuzën e maxhorancës e mori Prokuroria dhe e bëri të veten. Të bën të dyshosh se drejtësia këtu merr urdhra nga maxhoranca. Vendimi i Gjykatës është një lajm i mirë, sepse PD si një parti ndër të paerat në vend del e pafajshme. Unë vetë nuk kam besuar kurrë se kjo ishte e vërtetë. Nuk e besoja sepse nuk besoj se në Shqipëri ka forca pro ruse. Nuk mendoj se agjent i rusëve është Basha, por as Rama. Kjo sepse për arsye strategjike, Shqipëria dhe SHBA shkojnë bashkë. Nuk besoj se PD si parti Demokratike të jetë pro ruse, kjo as që mund të besohet”, deklaroi Gjekmarkaj.
Në lidhje me ligjin antishpifje, Agron Gjermarkaj nënvizoi se presidenti Ilir Meta ka bërë mirë që ka kthyer këtë projekt-ligj, ndërsa vlerësoi se qëndrimi i tij ishte i duhuri dhe i mirë-argumentuar.
“Paketa antishpifje është qershia mbi tortë e dekadencës në raport me lirinë e fjalës. Kjo është një rrugë e censurës dhe auto-censurës në Shqipëri. Në këtë kontekst, qëndrimi i presidentit ishte i duhuri. Reagimi i PS ishte emocional, ishte thellim i deklaratave aspak të duhura të kryeministrit. Gjendja është kritike dhe duke miratuar këtë ligj, kryeministri do të zbehë kritikat. Ky ishte një ligj tepër i kontestuar. Ne po largohemi gjithnjë e më shumë nga referencat e shteteve perëndimore. Ne kemi fuqinë e unit, që është tek kryeministri i vendit.”, u shpreh Gjekmarkaj.
Për Agron Gjekmarkajn, ky sistem duhet të ndryshojë dhe të mos jenë më listat e mbyllura, por të hapura.
“Mendoj se ky sistem ka nevojë të ndryshojë. Mendoj se duhet të paraqiten disa alternativa. Rama bashkë me Berishën bënë këtë marrëveshje që këta të dy të jenë mbi njerëzit, duke shndërruar njerëzit në zërin e ndërgjegjes së brendshme. Mendoj se ka ardhur kohë që të ndryshojë ky ligj. Nëse ka marrëveshje mes palëve, është një gjë e turpshme”, theksoi Gjekmarkaj.