Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj në një postim në facebook ka sjellë historinë e një familje që qëndron në çadër me vajzën 4-vjeçare, Rosalinda, e cila është me temperaturë të lartë.
Ish-deputeti Shehaj i bën thirrje shtetit që të ndërhyjë urgjentisht në Bubq aty ku ndodhet edhe familja, që t’ju vijë në ndihmë sa më parë.
Postimi i Agron Shehajt:
Rosalinda 4 vjeçare është e sëmurë me temperature të lartë, dergjur në një çadër të ftohtë, ngritur mbi truall balte, pa asnjë përkujdesje shëndetësore.
Si Rosalinda nëpër çadra ka me qindra fëmijë, pleq, njerëz me sëmundje kronike.
Vetëm në Bubq rreth 300 familje po jetojnë nëpër çadra të vogla të ngritura në oborret para shtëpive të rrënuara.
Gjendja nëpër çadra, me dimrin e ftohtë dhe të lagësht që ka rënë, është në prag të katastrofës njerëzore.
Tragjedia e tërmetit ja ka lënë vendin dramës mizore së mbijetesës së njerëzve të braktisur totalisht nga shteti. Me një grup qytetarësh po mundohemi të lehtësojmë dhe ndihmojmë sa më shumë. Por duhet ndërhyrja urgjente e shtetit qe e paguajmë për të garantuar jetën dhe sigurinë tonë.
Mediat kanë një rol të madh për të vetëdijësuar, por duhet të mos merren me gishtin e kryeministrit!