Ferma Huqi është subjekti i radhës që pajiset me certifikatën e agroturizmit. Një atraksion i jashtëzakonshëm turistik, ku mund të shijosh ushqimet tradicionale dhe bio të zonës, të vizitosh kafshët, të bësh xhiro me varkë përgjatë lumit dhe të shijosh ajrin e pastër.
Së fundmi fermës agroturistike i janë shtuar edhe 7 dhoma, ku vizitorët vendas apo turistët e huaj mund të kalojnë edhe natën, në një prej shtëpive të vogla prej druri.
“Kjo fermë agroturistike, ku jemi këtu, e familjes Huqi, është dëshmia më e gjallë se banorët e kësaj zone realisht mund të prodhojnë atë çfarë me duart e tyre të gjithë të tjerët duan të realizojnë dhe agroturizmi është një zgjidhje e mrekullueshme për të gjithë aspiratat e tyre dhe për të realizuar një ekonomi të vërtetë. Dhe tani ata e marrin certifikatën e agroturizmit që i jep një mbështetje tjetër të madhe. TVSH reduktohet nga 20 përqind në 6 përqind në gjithë shërbimet që kryen kjo strukturë agroturistike që është një diferencë shumë e madhe dhe është një favor që ne ia kemi dhënë vetëm hoteleve me 5 yje dhe tani ua dhamë edhe kompanive agroturistike se mendojmë që të dyja janë magnete të zhvillimit të ekonomisë tonë dhe po ashtu tatim fitimi ulet 5%”, tha ministri Klosi.
Megjithatë, sipas tij, kjo nuk mjafton, pasi për të pritur më shumë turistë duhen shtuar kapacitet nga 7 dhoma, që janë aktualisht në 30 që është edhe maksimumi që duhet të ketë një subjekt për të qenë agroturizëm.
”Kam qenë skeptik për programin e qeverisë, e para unë kam aplikuar me AZHBR vite më parë, pastaj rastësisht aplikova, u shpalla fitues dhe deri ditën që kam lidhur kontratën me AZHBR, kam qenë mosbesues, por është një dhuratë që të jepet. Ato shtëpi nuk do ishin bërë. U bëj thirrje dhe njëherë fshatarëve të mi, vlerësojeni këtë moment”, tha Gëzim Huqi, pronari i “Agroturizmit Huqi”.
I biri, Rigerti, thotë gjithashtu se granti i qeverisë ka qenë një ndihmë e madhe për të kompetuar veçanërisht dhomat e fjetjes, ndërsa thekson se ky biznes ka shërbyer jo vetëm për zhvillimin e ekonomisë, por edhe për punësimin e banorëve të zonës.
“Falenderoj qeverinë shqiptare, ndihma ishte rreth 1.5 milionë lekë të reja dhe është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe për të kompletuar akoma më shumë agroturizmin tonë këtu. Për momentin janë të punësuar 17 persona dhe në fundjavë numri arrin deri në 35, ndërsa duke pasur parasysh produktet që marrim nga të zonës, arrin deri në 45-50 veta. Investimet që do kryejmë do arrijmë besoj deri në 80 veta”, tha Rigert Huqi. /a.a/j.p/ATA