Aida Shtino: “Fatkeqësisht në Shqipëri gjërat me vlerë mbyllen, ndërpriten apo zhduken”

“Fatkeqësisht në Shqipëri gjërat me vlerë mbyllen, ndërpriten apo zhduken,” tregoi së fundmi Aida Shtino në një intervistë për Dosja.al. “Emisioni u mbyll në 2014-n.

E mbyllën ata që ndoshta i cenonte direkt apo indirekt trasmetimi i një emisioni të tillë, i cili trajtonte histori nga më të ndryshmet, investigonte në detaje, por që në thelb u shërbente drejtpërsëdrejti njerëzve.”

Më tej ajo shton se ka marrë kërcënime për mbylljen e emisionit dhe duket se kjo ka qenë arsyeja pse programi nuk u transmetua më.

“Mënyra si e mbyllën, kërcënimet që më kanë bërë personalisht vazhdimisht në shumë forma e mënyra, ishte shumë degraduese për ata dhe jo për mua, sepse unë besoj dhe do të besoj në vlera dhe drejtësi derisa të kem jetë.”

Në shkurt të një viti më parë, Aida Shtino rrëfeu për Juli Kristafin e “Pasdite në Top Channel” dëshirat për të ardhmen e formulës së “Njerëz të humbur”.

“’Njerëz të Humbur’ është si një fëmijë i rritur me shumë dashuri me shumë përkushtim. I kam përkushtuar gjithë jetën time. Më shumë rrija në punë sesa me familjen time. […] Duke marrë parasysh që këto emisione i shërbejnë gjithë komunitetit, janë shumë të nevojshme në televizion.”

Në përfundim emisionit, Shtino u pyet për kërcënimet gjatë punës, që siç duket nga intervista për Dosja.al, kanë qenë vendimtare për të hequr dorë nga programi.

“Kam marrë kërcënime për veten time për familjen, ka qenë kompleks e gjitha. Duke kërkuar një vajzë, familjarët e të cilës nuk kishin asnjë gjurmë, ne binim në rrjete trafikantësh dhe ishte e pamundur të mos kishte kërcënime. Mbaj mend njëherë kur kam qenë në Vizion+, ne kërkonim një vajzë të zhdukur nga Elbasani. Vijnë gjurmët se e kishin marrë dhe e kishin çuar në Greqi për ta trafikuar dhe në atë periudhë kishim agjentë në Greqi që kërkonin edhe nëpër rrugë.

Një ditë, po shkoja në zyrë më vjen një letër ma jep porteri, ia kishin lënë porosi të ma jepnin në dorë. E hap letrën dhe aty shkruante “vajza ndodhet në këtë adresë” dhe ishte adresa e shtëpisë sime. Deri në atë moment e kisha marrë me lehtësi.”

Së fundmi, ajo është pjesë e Partisë Republikane. Kjo nuk është hera e parë që Shtino përfshihet në politikë. Në vitin 2013, Aida ishte kandidate për deputete në Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitete, për qarkun e Lezhës.

Loading...