Aishe Haklaj rikthehet në Shqipëri pas 12 vitesh: Erdha të denoncoj në SPAK Sali Berishën

Familja Haklaj do të padisë në SPAK Sali Berishën për akuzën e vrasjes së Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj! Pas 12 vitesh në azil politik në Suedi, Aishe Haklaj, motra e madhe e Haklajve është rikthyer për pak orë në Shqipëri pikërisht për këtë qëllim.

Në një interviste për Report TV, përballë gazetarit Denis Minga, ajo ka rrëfyer arsyet pse familja e saj ka vendosur t’i drejtohet SPAK-ut. Ajo që e ka shtyrë është drejtësia e re, për të cilën tha se ka besim, e ndërsa thotë se nëse nuk hapet çështja, do e çojë deri në gjykatat ndërkombëtare. Që Berisha është autor i 4 vrasjeve, Haklaj thotë se ka prova dhe dëshmitarë.

“Po. Unë kam ardhur që të dërgoj denoncimin e familjes sime në drejtësinë e re shqiptare, e cila quhet SPAK. Denoncim zyrtar, ku kam bërë edhe një prokurë, kemi gjetur edhe dy avokatë dhe do t’i drejtohemi SPAK-ut. Për vrasjet e familjarëve tanë. Po, për vrasjet e katër vëllezërve. (…) Kemi shumë fakte, shumë prova, shumë dëshmi. Jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të Saliut, sepse nuk ma nxjerr goja të them të Sali Berishës.
Ne kemi besim tani dhe si rezultat i këtij besimi kam ardhur unë tani. Sepse më përpara drejtësia ka qenë e krimbur pikërisht nga ai njeri. (..) Ne nuk do të tërhiqemi asnjëherë. Edhe kur jemi paraqitur në Suedi, shteti suedez na dha një avokat shumë të zotin, shumë dinjitoz. Dhe edhe atëherë i kemi thënë atij njeriu që ne duam që atë njeri ta çojmë në gjykatat ndërkombëtare. Po, do të drejtohemi edhe andej. Nuk do të pushojmë së kërkuari të drejtën e gjakut të vëllezërve tanë”, ka thënë Haklaj.

Në intervistën ekskluzive për Report Tv, Aishe Haklaj ka deklaruar se është detyruar që të shkojë në azil politik në Suedi, pasi shteti nuk i mbronte dot përballë Berishës. Për të përforcuar këtë deklaratë të fortë të saj, ajo ka sjellë në vëmendje një histori se si është survejuar për 4 vite me radhë, nga 2005-2009 nga Berisha, pikërisht nga agjentë dhe punonjës të shtetit.

“Kam qenë nën survejim, kam jetuar në Tiranë nga viti 2005 kur janë larguar familjarët e mi deri në vitin 2009, në korrikun e vitit 2009. 12 vite bëhen tani dhe unë kam qenë e survejuar. Po, ishte Berisha në pushtet, ndaj dhe familjarët e mi, me riardhjen e Berishës në pushtet ishin të detyruar të largoheshin sepse ata e dinin që ai do t’i lante duart me familjen tonë dhe do të bënte atë që ai bëri në të vërtetë. Unë isha e ndjekur në atë kohë hap pas hapi, e survejuar hap pas hapi. Nga agjentët e tij. Agjentët shtetërorë të tij. Po, punonjës shteti”, ka deklaruar ajo.

Nuk ka lënë pa komentuar edhe shpalljen e Berishës ‘Non Grata’ nga SHBA, duke thënë se e dinte që “do i vinte dita një ditë”. Megjithatë, përtej zemërimit që ka ndaj Sali Berishës, Aishe Haklaj thotë se ndaj tij, kërkojnë vetëm drejtësi, dhe kurresesi hakmarrje.

Teksa ka folur për një dokument që i kanë dërguar SHBA-së në 2006 që mund të jetë marrë për bazë nga DASH, për futjen e Berishës në listën e zezë, vajza e madhe e familjes Haklaj tha se është gati të dëshmojë që ish-kryeministri është jo vetëm i korruptuar, por edhe vrasës.

Tragjeditë që ka përjetuar në të kaluarën, i ka hedhur pas krahëve, për të jetuar një të tashmë të qetë në Suedi, që është bërë atdheu i saj i dytë, megjithatë intervistën e thënë se “nuk ka frikë nga vdekja”…

Në fund të intervistës, Aishe Haklaj ka zbuluar për jetën e saj në Suedi, ku ka përfituar azil politik. Ajo sot është mësuese e gjuhës suedeze teksa rrëfen se ka një jetë të qetë. “Nuk kam frikë të vdes”, e ka mbyllur intervistën e saj në Report Tv.

Zonja Haklaj, ju keni qenë, me sa di, keni dhënë mësim apo jo, gjatë viteve në Shqipëri. Fizikë, mos gaboj?

Kam dhënë ciklin e ulët. Jam arsimtare e shkolluar për ciklin e ulët.

Në vend.

Në Shqipëri.

Ndërkohë në Suedi, çfarë?

Edhe në Suedi.

Cili është aktiviteti, jeta juaj? Vazhdoni të jepni mësim sot?

Unë jap në profesionin tim. Unë punoj si mësuese e ciklit të ulët në Suedi. Pavarësisht se nuk e kam akoma të legjitimuar gjuhën suedeze, unë e jap edhe gjuhën suedeze.

Bëni një jetë të qetë apo edhe aty e keni këtë ankthin e këtij kalvari të vështirë që ka kaluar familja juaj?

Unë bëj një jetë të qetë. Dhe unë thashë se nuk e kam frikë vdekjen. Unë mund të vdes pa pyetur fare. Dole të më vrasësh, do të më vrasësh. Unë s’pyes fare. Unë bëj një jetë të qetë dhe unë mendoj të eci përpara, nuk mendoj pas, nuk e kthej kokën pas, si ajo bagëtia që e kthen kokën kështu, ujkun sa hapa ka hedhur, sepse e kam mësim nga gjyshi im dhe të gjithë e kemi pasur mësim nga gjyshi ynë që shohim përpara. Po shikove prapa, do ngelesh prapa. Dhe nuk duam të ngelemi prapa, shohim përpara.

Aishe Haklaj: Në 2006 i dërguam letër SHBA-ve, sot mund të jetë bërë pjesë e dokumenteve të DASH për shpalljen e Berishës ‘Non Grata’! Ja çfarë shkruhej

Për herë të parë, Aishe Haklaj ka zbuluar për herë të parë për Report Tv se në vitin 2006, kur familja e saj ndihej e kërcënuar nga Sali Berisha, që tashmë kishte rimarrë pushtetin, i kanë dërguar një letër Ambasadës së SHBA-së. Në këtë letër, ajo ka zbuluar se i kërkonte SHBA-së ndihmë, teksa kishte renditur të gjitha krimet që Beosha sipas saj i kishte bërë familjes Haklaj, Kjo letër, ajo thotë se ndoshta mund t’i ketë shkuar DASH, që kanë mbërritur deri te vendimmarrja për ta shpallur non grata?

“Unë po e shikoj me shumë optimizëm qëndrimin e ambasadores amerikane Juri Kim sepse në 2006-n, kur Sali Berisha doli sheshit, kur e mori pushtetin edhe njëherë dhe na dha dorën e fundit, u detyruam të largohemi, bëri ato që bëri kundër familjes sonë, ne përveç mediave, sepse shteti nuk po reagonte, as i majti as i djathti, për arsyet që unë i thashë, iu drejtuam edhe Ambasadës Amerikane në atë kohë, në 2006-n, dhe besoj se mund të jetë ndonjë dokument të cilin atje e kemi dërguar.

Ambasadore amerikane ishte atëherë Marsi Ris. Dhe i kemi përmbledhur të gjitha. Një material ku i drejtoheshim për ndihmë, për krimet shtetërore të Sali Berishës që po bënte ndaj familjes sonë.

Dhe akuzonim nga fillimi deri në fund Sali Berishën dhe shtetin e kriminalizuar të tij. Ky material mund të jetë pjesë e atij grumbulli materialesh dhe nga ambasada mund t’i ketë shkuar Departamentit, që ka ardhur te vendimmarrja për ta shpallur non grata? Ne nuk e dimë, por që atëherë ne kemi pritur.

Nuk ishte diçka e papritur. Kisha një shpresë te natyra, thashë, dhe kisha një shpresë që secili do të japë llogari për veprimet e tij të jetës, secili, jo vetëm ai, por secili prej nesh një ditë do të japë llogari për veprimet e tj të jetës.

Dhe ajo ka filluar, mendoj unë. Dhe kam shumë besim te shteti amerikan dhe tek ambasadorja Juri Kim sepse më duket një ambasadore shumë aktive, e cila po godet vërtet aty ku duhet sepse drejtësia është ajo që mund t’i japë një drejtim tjetër vendit tonë, sepse vërtet vendi ynë është mjaft i bukur”, tha Aishe Haklaj.

Loading...