Ajola Xoxa dedikim prekës për të atin!

Publicisti Arben Xoxa, njëherësh babai i Ajolës, u nda nga jeta dje pas një sëmundje të rëndë.

Dhe në këtë ditë të trishtë për familjen e saj, Ajola gjen forcën që të shpreh vlerësimin e saj për të si një baba dhe një bashkëshort i mrekullueshëm.

Ajo shprehet se është e zemërthyer pas ndarjes nga jeta e të atit, ndërsa kujton të mirat që ka bërë për të tjerët dhe ndihmën e tij për njerëzit në nevojë.

Ajola rrëfehet se e dërguan për në banesën e fundit të mbuluar me të bardhë, për të treguar mirësinë që dha deri në ditët e fundit të jetës, ndërsa fjala e tij e fundit që tha ishte “Zemër”.

Dedikimi i plotë:

I dashur babi im aq i shtrenjtë,
të humbëm pas një lufte të vështirë e plot dhimbje me një monstër siç është kanceri. Unë dhe mami të mbajtëm në krahët tona deri në frymëmarrjen e fundit; deri në rrahjen e fundit të zemrës tënde plot dritë, ta mbajta dorën aty përmbi kraharor. Kam një dhimbje therrëse sikur shpirti të më jetë çarë në dysh.
Shpirti i yt i mrekullushëm iku në paqe, i mbuluar në të bardhë siç edhe jetove, i ndriçuar nga drita e gjithë mirësisë dhe dashurisë që pate në zemër dhe mençurisë që pate në mendje nga fillimi i jetës e deri në fund.

Gjatë gjithë jetës tënde i dhe veç bardhësi e dritë kujtdo pate pranë, ndihmove këdo munde, sa herë munde, edhe kur mundësitë i kishim të vogla, ti gjithmonë deshe t’i ndihmoje ata që kishin nevojë. Nuk pate kurrë, kurrë urrejtje në shpirtin tënd, vetëm dashuri. Edhe me ata që deshën të të bëjnë keq, ti kishe forcën të ishe i butë, i mirë, gjithmonë i buzëqeshur.
Edhe fjala e fundit që the në këtë jetë ishte “Zemër”, kaq shumë ndriçonte shpirti yt i bardhë.

Ti ishe një baba dhe një bashkëshort i mrekullueshëm! Unë dhe mami patëm kaq shumë fat që të patëm ty si udhërrëfyes! Dhe kjo është ndoshta arritja më e madhe që mund të ketë një njeri në jetë babi im i mirë: ti e shtrëngove fort familjen tonë dhe bëre që ajo të ishte më e qeta dhe më e lumtura në botë. Gjithmonë thonim: a ka vallë të tjerë si ne të tre?

Ishe njeriu më inteligjent që njoha ndonjëherë, i etur për dije deri në fund. Ishe njeriu me shpirt më të pastër që njoha ndonjëherë, më i sinqerti që njoha ndonjëherë, më fisniku që njoha ndonjëherë, me buzëqeshjen më të ëmbël që kam parë ndonjëherë.
Ti ishe dashuria ime e madhe, heroi im, shkëmbi im i sigurt, mësuesi im, shoku im më i mirë!

Të dua shumë baba! Me të gjithë forcën e dashurisë që ndonjëherë ka ndier njeriu për njeriun!
Të dua përgjithmonë!

Loading...